<b></b> Bie çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare, po shqyrtohet shtimi i prodhimit

Bie çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare, po shqyrtohet shtimi i prodhimit

02.06.2022 15:30

Çmimi i naftës shënoi rënie të enjten pas raportimeve se organizata e vendeve prodhuese, OPEC, do ta shtojë nxjerrjen e naftës së papërpunuar për ta zëvendësuar sasinë që nuk do të sigurohet më nga Rusia për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj këtij shteti.

Të martën, çmimi i një fuçie nafte në bursën “Brent” shkoi në 125 dollarë, që ishte niveli më i lartë nga marsi, por të enjten çmimi ra për 2.3 për qind, në 114 dollarë për fuçi, raporton televizioni “CNN”.

Arabia Saudite u ka dhënë shenja aleatëve perëndimorë se është e përgatitur për ta shtuar prodhimin, nëse sasia nga Rusia bie në masë të konsiderueshme si pasojë e sanksioneve, raporton “Financial Times”.

Një marrëveshje mund të bëhet të enjten në një takim të ministrave të energjisë të vendeve të OPEC-ut dhe Rusisë, raporton agjencia “Reuters.

Më parë, Arabia Saudite i kishte refuzuar kërkesat e ShBA-së për ta rritur prodhimin përtej një kuote të vjetër, për të cilën ishte pajtuar me Rusinë dhe prodhuesit e tjerë që nuk janë pjesë e organizatës OPEC. Megjithatë, shqetësimi se çmimet shumë të larta mund ta çojnë botën në recesion duket se kanë nxitur rishqyrtim të çështjes.

Agjencia “Reuters”, duke cituar dy burime nga organizata OPEC, raportoi të enjten se prodhimi i naftës ruse ka rënë për rreth 1 milion fuçi në ditë muajve të fundit si rezultat i sanksioneve perëndimore.

Këtë javë, Bashkimi Evropian arriti pajtim për të ndalur 90 për qind të naftës ruse deri në fund të këtij viti./Nacionale

Tjera nga autori:
1