<b></b> Bie qeveria e Bullgarisë, Petkov fajëson Rusinë

Bie qeveria e Bullgarisë, Petkov fajëson Rusinë

22.06.2022 19:39

Pasi qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov ka humbur një votë mosbesimi të mërkurën, Petkov e ka fajësuar Rusinë dhe mafian e fuqishme të vendit të tij.

Petkov, i cili erdhi në pushtet vetëm gjashtë muaj më parë, kishte marrë votat nën premtimin për të luftuar korrupsionin e shfrenuar në vend dhe e ka shtyrë Sofjen të marrë një qëndrim jashtëzakonisht të fortë kundër Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.

Në votën e mosbesimit, rreth 123 deputetë nga 239 në parlament votuan kundër kabinetit të tij.

“Ky votim është një hap i vogël përgjatë rrugës shumë të gjatë përpara nesh. Unë premtoj se do të vazhdojmë betejën për të rifituar vendin dhe, një ditë, do të kemi një Bullgari pa mjeshtra kukullash, pa mafia - një vend normal evropian," tha ai në një fjalim para asamblesë kombëtare.

Sipas Politico, duke dhënë një listë të njerëzve që kishin qenë të dobishëm për rrëzimin e administratës së tij, Petkov ka emëruar ambasadorin rus në Sofje dhe ka akuzuar Rusinë për ushtrimin e ndikimit të saj mbi largimin e tij nëpërmjet deputetëve nga partia e ekstremit të djathtë Rilindja.

Votimi i mosbesimit të mërkurën u përshpejtua nga politikani Slavi Trifonov, i cili e tërhoqi papritur partinë e tij nga një koalicion i brishtë qeverisës me katër parti. Trifonov tha se ka mosmarrëveshje për buxhetin dhe akuzoi Petkovin se ka marrë një linjë shumë të butë për të lejuar Maqedoninë e Veriut të fillojë bisedimet e pranimit në BE.

Partia e Petkov, e ndjekur nga opozita, tani do të ketë një mundësi të përpiqet të mbledhë mbështetje për një shumicë. Por, nëse kjo dështon, vendi do të vendos për zgjedhjet e katërta të përgjithshme që nga prilli 2021.

Tjera nga autori:
1