<b></b> Bllokohet Severodonetsku, rusët e shkatërrojnë edhe urën e fundit

Bllokohet Severodonetsku, rusët e shkatërrojnë edhe urën e fundit

14.06.2022 08:36

Forcat ruse i kanë bllokuar të gjitha rrugëdaljet për evakuimin e civilëve nga qyteti lindor ukrainas, Severodonetsk, duke e shkatërruar edhe urën e fundit që e lidhte atë me anën tjetër të lumit, tha një zyrtar ukrainas.

Reuters

Trupat ruse “po mundohen të fitojnë terren në pjesën qendrore të qytetit”, tha të martën ushtria ukrainase në përditësimin e ri për situatën në pjesë të ndryshme të vendit.

“Situata në Severodonetsk është tepër e rënduar – rusët po mundohen që t’i shkatërrojnë ndërtesat e larta dhe “Azotin”, tha guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Gaidai. Një ditë më parë, ai tha se qindra civilë janë duke u strehuar në zonën e fabrikës kimike, “Azot”, e cila është sulmuar nga forcat ruse.

Ukraina ka bërë thirrje urgjente për marrjen e më shumë armëve nga Perëndimi për ta mbrojtur qytetin Severodonetsk, për të cilin Kievi thotë se mund të jetë çelësi i betejës për rajonin Donbas dhe për rrjedhën e luftës, që tashmë është në muajin e katërt.

Të hënën, Gaidai tha në rrjete sociale se rreth 70 për qind e qytetit është nën kontrollin e armikut dhe se shkatërrimi i urës së fundit, që e lidhte Severodonetskun me qytetin Lysychansk, nënkupton se të gjithë civilët, që ende ndodhen në Severodonetsk, janë të ngujuar dhe se është e pamundshme që të shpërndahen ndihma humanitare.

Ushtria ukrainase raportoi se armiku është duke krijuar kushte për zhvillimin e një ofensive në Sloviansk dhe në qytezat Lyman, Yampil dhe Siversk – të gjitha në perëndim të Severodonetskut.

Të hënën në mbrëmje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se beteja për Donbasin do të jetë njëra ndër më brutalet në historinë e Evropës. “Për ne, çmimi i kësaj beteje është shumë i lartë. Është thjesht e frikshme”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të hënën  se qëllimi kryesor i Rusisë është që t’i mbrojë Donetskun dhe Luhanskun, pasi udhëheqësi i njërit prej këtyre rajoneve separatiste kërkoi forca shtesë nga Moska.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, tha të hënën se vendi i tij ka nevojë për 1.000 obusë, 500 tanke dhe 1.000 dronë mes llojeve të tjera të armatimit të rëndë.

Rusia i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore për dërgimin e armëve në Ukrainë dhe ka kërcënuar se do të sulmojë zona të reja në Ukrainë, nëse Perëndimi dërgon atje raketa me rreze të gjatë./Nacionale

Tjera nga autori:
1