<b></b> Britanikut i transplantohen të dyja duart me operacion 12-orësh

Britanikut i transplantohen të dyja duart me operacion 12-orësh

26.05.2022 11:17

Një burrë, duart e të cilit u bënë të papërdorshme nga një sëmundje e rrallë, ka një arsye të re për jetë pas atij që besohet se është transplantimi i parë në botë i të dyja duarve për shkak të sklerodermës.

Sky News

Steven Gallagher, 48 vjeç, ishte diagnostikuar, me sklerodermë, sëmundje autoimune që shkakton dhëmbëzim të lëkurës dhe të organeve të brendshme, pasi kishte pasur shenja të pazakonshme në lëkurë para rreth 13 vjetëve.

Disa pjesë të trupit si hunda, goja e duart iu prekën nga sëmundja dhe, para rreth shtatë vjetëve, gishtat filluan që t’i mblidheshin derisa arritën në pozicionin e grushtit dhe ai thotë se përjetonte dhimbje të tmerrshme.

Kur ekspertët ia sugjeruan idenë e transplantimit të dyfishtë të duarve, babai i tre fëmijëve fillimisht e refuzoi propozimin, por pastaj vendosi që t’i nënshtrohej operacionit pavarësisht nga rreziqet.

“Bashkëshortja dhe unë folëm për këtë dhe u morëm vesh që ta bëjmë këtë. Edhe ashtu, mund t’i humbja duart, prandaj ishte thjesht rasti që t’u tregoja se do ta bëja këtë”, tha britaniku.

U desh që ai t’i nënshtrohej vlerësimit psikologjik për t’u siguruar se ishte i përgatitur për mundësinë e transplantimit. Më pas, ai iu nënshtrua një operacioni 12-orësh në dhjetorin e vitit të kaluar, pasi ishte gjetur dhuruesi i përshtatshëm.

Ekipi i transplantimit të duarve në spitalin “Leeds Teaching Hospital NHS Trust”, që e kreu operacionin, tha se kjo është hera e parë në botë që dy duar të një personi janë zëvendësuar për shkak të prekjes nga skleroderma.

“Pas operacionit, u zgjova dhe ishte goxha joreale, sepse para operacionit, i kisha duart e mia dhe pastaj u zgjova nga operacioni dhe ende i kisha duart, prandaj, në kokën time, kurrë vërtet nuk i kisha humbur duart”, tha pacienti.

“Këto duar janë të mahnitshme, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Mundja t’i lëvizja nga momenti që u zgjova nga operacioni”, shtoi ai.

“Dhimbja është gjëja e madhe. Dhimbja para operacionit ishte e tmerrshme. U lirova aq shumë nga dhimbja, saqë ishte e pabesueshme, por tash nuk kam dhimbje fare”, tha britaniku.

Më shumë se pesë muaj pas operacionit, gjendja e tij po përmirësohet dhe, ndonëse nuk mund të bëjë punë që kërkojnë shkathtësi të madhe, ai mund të kryejë disa veprime si krehja e qenit, lëshimi i çezmës dhe mbushja e gotës me ujë.

48-vjeçari punonte si mjeshtër i kulmeve dhe ishte bërë asistent i menaxherit të kontratave, por u detyrua që ta ndërpriste punën për shkak të sëmundjes. Tash, ai po shpreson që t’i kthehet ndonjë forme të punës, posa duart t’i përmirësohen mjaftueshëm dhe është shumë mirënjohës për personin dhe familjen e dhuruesit, që e bënë të mundshëm transplantimin.

Në operacionin e ndërlikuar kanë marrë pjesë 30 profesionistë mjekësorë të fushave të ndryshme.

Profesori Simon Kay, që është pjesë e spitalit ku u krye operacioni, tha: “Transplantimi i duarve është shumë më ndryshe se transplantimi i veshkës ose i organeve të tjera, sepse duart i shohim çdo ditë dhe i përdorim ato në shumë mënyra.”

“Për këtë arsye, ne dhe ekspertët tanë klinikë të psikologjisë i vlerësojmë dhe i përgatitim pacientët që të sigurohemi se ata do të mund të ballafaqohen në aspektin psikologjik me përkujtimin e përhershëm të transplantimit të tyre dhe për rrezikun që trupi mund t’i refuzojë duart e transplantuara”, shtoi ai.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1