<b></b> Çanak: Ballkani i Hapur është i dëmshëm sepse është alternativë ndaj BE-së dhe mundëson idetë hegjemoniste të nacionalistëve në Ballkan

Çanak: Ballkani i Hapur është i dëmshëm sepse është alternativë ndaj BE-së dhe mundëson idetë hegjemoniste të nacionalistëve në Ballkan

07.06.2022 13:32

Politikani nga Vojvodina, njëherit kryetar i LSV-së, Nenad Çanak ka folur për mediumin Danas për agresionin rus në Ukrainë, dhe qasjen keqdashëse ruse, që nëpërmjet agjeturës po mëton mbajtjen e gjendjes së paqëndrueshme në Ballkan.

Çanak po ashtu ka thënë se nuk pret që institucionet aktuale në Serbi të reagojnë ndaj kërkesave të shoqatës “Serbët, Rusët, Ukrainasit, Bjellorusët kundër luftës” për, siç pretendojnë ata, 4036 agjentë rusë që gjenden në Serbi.

Ai shton se sa herë që përmend ndonjë agjenturë ruse në Serbi, merr përgjigjen se edhe të tjerët kanë agjentura këtu.

“Nuk po flas për të tjerët, po flas konkretisht për rusët dhe ndikimin e tyre keqdashës në Ballkan. Mbajtja e paqëndrueshmërisë në Ballkan nga mbështetja e ideve krejtësisht të çmendura për pavarësinë e Republikës Srpska, mosnjohja e Kosovës, përkatësisht mosnormalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, shërben për të mbajtur Rusinë të përfshirë në negociatat ndërkombëtare dhe në vendosjen e fatit të vendeve të tjera. Është njësoj si kur flet për zgjerimin e NATO-s në lindje, NATO nuk u zgjerua sepse nuk është kancer për t'u zgjeruar, por vendet që arritën të heqin qafe hegjemoninë sovjetike kanë paraqitur kërkesa dhe aplikime për t'u pranuar në NATO, të cilën vendet e ish Traktatit të Varshavës e kishin si ombrellë ndaj hegjemonisë ruse”, vlerëson Çanak.

Kreu i LSV thotë gjithashtu se Serbia e sotme, falë narrativës së kahershme proruse që ekziston që nga Sllobodan Millosheviqi e deri më sot, është “streha e fundit e të poshtërve që ndodhen në Moskë”.

Duke komentuar mbështetjen e Lavrovit për Ballkanin e Hapur, Canak në dukje se investimi i parave, njohurive dhe teknologjisë së BE-së dhe SHBA-së është pa masë më i madh se investime të tilla e të ngjashme të Rusisë, e cila, siç thotë ai, është e varrosur në pozitën e eksportuesit të lëndëve të para primare dhe të energjisë, qëçon deri tek ajo se Rusia nuk mundet as armë të prodhojë, përveç kallashnikovëve, pa përfshirjen e teknologjisë perëndimore.

“Ky është thelbi i tregimit. Prandaj, është hipokrizi që Lavrov ka një mendim për Ballkanin Perëndimor dhe jo diçka më shumë se kaq. Sepse çështja e "Ballkanit të Hapur" është një çështje e bashkëpunimit rajonal në lidhje me Ballkanin Perëndimor, për të cilin, unë personalisht jam kundër, sepse ka degjeneruar në një alternativë ndaj Bashkimit Evropian në baza krejtësisht të papranueshme që mundësojnë idetë hegjemoniste etnonacionaliste të nacionalistëve në Ballkan. Nëse është kështu, atëherë është e dëmshme”, përfundon lideri i LSV-së.

Tjera nga autori:
1