<b></b> Cavusoglu në Beograd: Serbët do të mund të vijnë në Turqi vetëm me letërnjoftim

Cavusoglu në Beograd: Serbët do të mund të vijnë në Turqi vetëm me letërnjoftim

17.06.2022 09:25

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha të enjten në Beograd se synimi i përbashkët i Turqisë dhe Serbisë, i vendosur nga presidentët e të dyja vendeve, është që shkëmbimi tregtar mes tyre të arrijë në vlerën e pesë miliardë dollarëve dhe se për këtë po bëhen hapa të fuqishëm.

“Marrëdhëniet tona ekonomike e tregtare janë duke përparuar shpejt. Qëllimi i përbashkët, i vendosur nga presidentët tanë, është i qartë. Qëllimi është që vëllimin e tregtisë sonë ta rrisim në 5 miliardë dollarë. Po bëjmë hapa të fuqishëm drejt këtij qëllimi”, tha kryediplomati turk.

“Më 2021, vëllimi ynë tregtar arriti në gati dy miliardë dollarë. Në Çerekun e parë të vitit 2022, shënuam rritje prej 31 për qind”, shtoi ministri i Erdoganit.

“Investimet e biznesmenëve turq në Serbi u rritën nga një milion në 300 milion dollarë për dhjetë vjet”, tha Cavusoglu.

Ai paralajmëroi se serbët dhe turqit do të mund t’i vizitojnë vendet e njëri-tjetrit vetëm përmes letërnjoftimit dhe se një marrëveshje për këtë çështje do të nënshkruhet së shpejti mes ministrave të Punëve të Brendshme të të dyja shteteve.

Serbia do të jetë vetëm shteti i gjashtë, qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë në Turqi vetëm me letërnjoftim. Këtë mundësi e kanë edhe shtetasit e Qipros Veriore, Moldavisë, Ukrainës, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë.

Cavusoglu gjithashtu e përmendi faktin se Turqia ka hapur një konsullatë të përgjithshme në Novi Pazar vitin e kaluar, duke u bërë shteti i parë që hap konsullatë në këtë qytet.

Në anën tjetër, homologu serb, Selakoviq, tha se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë janë në kulmin historik të tyre.

“Ne jemi shumë të kënaqur me trendin e ngritjes së këtyre marrëdhënieve dhe vetëm mund të themi se në 142 vitet e kaluara të raporteve tona diplomatike, ato tash janë në kulmin e tyre historik”, tha kryediplomati serb./Nacionale

Tjera nga autori:
1