<b></b> Çfarë do të bëjë dhe çfarë s'do të bëjë Amerika në Ukrainë?

Çfarë do të bëjë dhe çfarë s'do të bëjë Amerika në Ukrainë?

01.06.2022 10:19

Pushtimi për të cilin Vladimir Putini mendoi se do të zgjaste me ditë, tash është në muajin e katërt. Populli ukrainas e befasoi Rusinë dhe e frymëzoi botën me sakrificën, kurajën dhe suksesin e tij në fushëbetejë. Bota e lirë dhe shumë vende të tjera, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u mblodhën në anën e Ukrainës me përkrahje të pashembullt ushtarake, humanitare e financiare.

Joe Biden

Përderisa lufta vazhdon, dua të jem i qartë për qëllimet e Shteteve të Bashkuara në këto përpjekje.

Qëllimi i Amerikës është i qartë: duam të shohim një Ukrainë demokratike, të pavarur, sovrane e me mirëqenie duke e mbrojtur atë kundër agresionit të mëtejmë.

Siç ka thënë presidenti Volodymyr Zelensky i Ukrainës, kjo luftë përfundimisht “do të përfundojë vetëm përmes diplomacisë”. Çdo bisedim i pasqyron faktet në terren. Kemi lëvizur shpejt për t’i dërguar Ukrainës sasi të konsiderueshme të armatimit dhe municionit në mënyrë që të mund të luftojë në fushëbetejë dhe që të jetë në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm në tavolinën e bisedimeve.

Prandaj kam vendosur që t’i furnizojmë ukrainasit me sisteme raketore dhe municione më të avancuara, që do t’u mundësojnë të sulmojnë me më shumë saktësi caqe kyçe në fushëbetejë në Ukrainë.

Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët tanë për sanksionet ruse, më të rëndat ndonjëherë që i janë vendosur një ekonomie të madhe. Ne do të vazhdojmë që ta furnizojmë Ukrainën me armatim të avancuar, përfshirë raketat anti-tank, “Javelin”, raketat kundërajrore, “Stinger”, artileri të fuqishme dhe sisteme raketore me saktësi të lartë, radarë, automjete ajrore pa pilot, helikopterë “Mi-17” dhe municion. Ne gjithashtu do të dërgojmë miliarda shtesë si ndihmë financiare, siç jemi autorizuar nga Kongresi. Do të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë për ta adresuar krizën globale të ushqimit, të cilën po e përkeqëson agresioni i Rusisë. Do t’i ndihmojmë aleatët tanë evropianë dhe të tjerët që ta pakësojnë varësinë e tyre nga lëndët e djegshme ruse dhe që ta përshpejtojmë kalimin tonë te e ardhmja me energji të pastër.

Ne gjithashtu do ta vazhdojmë përforcimin e krahut lindor të NATO-s me forca e kapacitete nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Rishtazi, unë e mirëprita aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s, lëvizje që do t’i fuqizojë, në përgjithësi, ShBA-në dhe sigurinë trans-atlantike duke shtuar dy partnerë ushtarakë demokratikë e me aftësi të larta.

Ne nuk duam luftë mes NATO-s dhe Rusisë. Po aq sa nuk pajtohem me z. Putin dhe veprimet e tij i cilësoj mizori, Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen që ta shkaktojnë rrëzimin e tij në Moskë. Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë nuk sulmohen, ne nuk do të përfshihemi drejtpërdrejt në këtë konflikt, qoftë duke dërguar trupa amerikane për të luftuar në Ukrainë, qoftë duke i sulmuar forcat ruse. Ne nuk do ta inkurajojmë ose nuk do t’ia bëjmë të mundur Ukrainës sulmin përtej kufijve të saj. Nuk duam që ta zgjatim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë.

Parimi im gjatë tërë kësaj krize ka qenë “asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”. Nuk do t’i bëj presion qeverisë ukrainase – privatisht ose publikisht – që të bëjë ndonjë koncesion territorial. Kjo do të ishte e gabuar dhe në kundërshtim me parimet e rrënjosura mirë.

Bisedimet e Ukrainës me Rusinë nuk kanë ngecur për shkak se Ukraina ia ka kthyer shpinën diplomacisë. Ato kanë ngecur, sepse Rusia vazhdon që ta zhvillojë luftën për të marrë nën kontroll sa më shumë pjesë të Ukrainës që mundet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të punojnë për ta fuqizuar Ukrainën dhe që t’i përkrahin përpjekjet e saj për të arritur fund të negociuar të konfliktit.

Agresioni i paprovokuar, bombardimi i spitaleve të maternitetit dhe qendrave të kulturës dhe zhvendosja e detyruar e miliona njerëzve e bëjnë luftën në Ukrainë çështje thellësisht morale. U takova me refugjatë ukrainas në Poloni – gra e fëmijë që ishin të pasigurt se si do të jetë jeta e tyre dhe nëse të dashurit e tyre, që qëndruan prapa në Ukrainë, do të jenë mirë. Asnjë person me ndërgjegje nuk do të mund të mos prekej nga shkatërrimi i këtyre tmerreve.

Qëndrimi pranë Ukrainës në orën e nevojës nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë. Është në interesin tonë jetik kombëtar që të sigurojmë Evropë paqësore dhe stabile dhe që të bëjmë të qartë se fuqia nuk e bën ligjin. Nëse Rusia nuk paguan një çmim të lartë për veprimet e saj, do të dërgonte mesazh te agresorët e tjerë të mundshëm se edhe ata mund të mbërthejnë territore e t’i nënshtrojnë shtetet e tjera. Kjo do ta vendoste në rrezik mbijetesën e demokracive të tjera paqësore. Kjo gjithashtu do ta shënonte fundin e rendit ndërkombëtar të mbështetur në rregulla dhe do t’ia hapte derën agresionit në vende të tjera, me pasoja katastrofike në mbarë botën.

E di që shumë njerëz në mbarë botën janë të shqetësuar për përdorimin e armëve bërthamore. Tash për tash nuk shohim shenja se Rusia për qëllim që të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, ndonëse retorika rastësore e Rusisë për të kërcënuar me armë bërthamore është vetiu e rrezikshme dhe jashtëzakonisht e papërgjegjshme. Më lejoni që të jem i qartë: çfarëdo përdorimi i armëve bërthamore në këtë konflikt në çfarëdo shkalle do të ishte tërësisht i papranueshëm për ne dhe për pjesën tjetër të botës dhe do të sillte pasoja të rënda.

Amerikanët do të qëndrojnë me popullin Ukrainës, sepse ne kuptojmë se liria nuk është falas. Kjo është ajo që ne gjithmonë e kemi bërë kurdo që armiqtë e lirisë synojnë që të ngacmojnë e të shtypin njerëz të pafajshëm dhe kjo është ajo që po e bëjmë tash. Vladimir Putini nuk e ka pritur këtë shkallë të unitetit ose të fuqisë së kundërpërgjigjes sonë. Nëse pret që ne do të lëkundemi ose do të thyhemi në muajt e ardhshëm, ai është po aq i gabuar.

Shkrimi është publikuar në "New York Times". Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1