<b></b> Çfarë është sistemi lazer që Rusia thotë se e ka përdorur në Ukrainë?

Çfarë është sistemi lazer që Rusia thotë se e ka përdorur në Ukrainë?

19.05.2022 18:47

Megjithëse ShBA thotë se nuk ka parë prova dhe Ukraina e ka quajtur propagandë, Rusia pretendon se në fushën e betejës në Ukrainë ka përdorur armë lazer. Por, çfarë janë këto armë dhe sa efektive mund të jenë ato në luftë?

Zëvendëskryeministri përgjegjës për zhvillim ushtarak Yury Borisov, tha për një televizion rus se një prototip lazer i quajtur Zadira ishte vendosur në Ukrainë dhe kishte djegur një dron ukrainas brenda pesë sekondave nga një distancë prej 5 kilometrash.

Sipas tij, arma ishte shtesë e një sistemi të mëparshëm lazer të quajtur Peresvet që përdoret për të “verbuar” satelitët që orbitojnë mbi tokë dhe t’i parandalojë ata që të mbledhin informacione.

"Nëse Peresvet verbon, gjenerata e re e armëve lazer çon në shkatërrimin fizik të objektivit - shkatërrim termik, ato digjen," tha Borisov.

Megjithatë, sipas BBC-së, një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së tha se ai nuk kishte parë asgjë që të vërtetonte përdorimin e lazerëve në Ukrainë.

Ndërkohë, me këtë pretendim presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është tallur duke e krahasuar atë me të ashtuquajturat "armë të mrekullueshme" që Gjermania naziste pretendonte se po zhvillonte gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Sa më e qartë që bëhej se ata nuk kishin asnjë shans në luftë, aq më shumë kishte propagandë për një armë të mahnitshme që do të ishte aq e fuqishme sa të siguronte një pikë kthese," tha Zelensky.

"Dhe kështu ne shohim se në muajin e tretë të një lufte në shkallë të gjerë, Rusia po përpiqet të gjejë 'armën e saj të mrekullueshme'... e gjithë kjo tregon qartë dështimin e plotë të misionit."

Çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë armët lazer?

Për sistemin e lazerit Zadira nuk ka shumë informacione, por në vitin 2017 një media ruse kishte raportuar se në zhvillimin e këtij sistemi kishte ndihmuar korporata shtetërore bërthamore Rosatom, si pjesë e një programi për të krijuar armë të bazuara në parime të reja fizike.

Por, dihet se ka një vend që në fakt ka zhvilluar armë lazer dhe ai është Izraeli. Muajin e kaluar ky shtet publikoi një video që tregonte një sistem lazer që rrëzonte raketa dhe dronë.

Kryeministri Naftali Bennett tha se arma mund të rrëzonte dronët, mortajat dhe raketat për vetëm 3,50 dollarë një e shtënë.

"Mund të tingëllojë si fantashkencë, por është e vërtetë," tha ai.

Megjithatë, eksperti i mbrojtjes raketore Dr Uzi Rubin nga Instituti i Jerusalemit për Strategjinë dhe Sigurinë (JISS) tha se teknologjia e armëve lazer nuk mund të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në fushën e betejës në Ukrainë.

"Zelensky ka të drejtë - nuk është një armë për t'u habitur," tha ai për BBC.

"Atyre iu deshën disa sekonda për të rrëzuar UAV-në. Ka mënyra shumë më të mira për ta bërë këtë, përdorimi i një rakete Stinger ose ndonjë raketë kundërajrore do të kishte qenë më e lirë, më e shpejtë dhe me rreze më të gjatë."

Lazerët punojnë duke dërguar një rreze drite infra të kuqe që ngroh objektivin e saj derisa të digjet. Por, dr Rubin tha se fuqia e armëve të avancuara lazer ishte ende shumë e dobët për të bërë një ndryshim të rëndësishëm në fushën e betejës, dhe armë të tilla kishin një "shkallë të ulët vrasjeje".

"Nuk është si në "Star Wars" ku ata drejtojnë një armë lazer te njerëzit e këqij dhe shpejt shtypin një buton dhe i keqi shpërthen. Në realitet, është më shumë si një furrë me mikrovalë. Nëse dëshironi ta zieni një filxhan me ujë kërkon pak kohë. Lazeri është i njëjtë. Duhet ta vendosësh në objektiv dhe të presësh derisa të nxehet dhe ta shkatërrojë atë", tha ai.

Lazeri mund të fokusohet vetëm në një objektiv në një kohë, tha Rubin, ndërsa sistemet e mbrojtjes raketore mund të angazhohen në objektiva të shumtë në të njëjtën kohë.

Për më tepër, ai shtoi se lazerët neutralizohen nga moti i keq, sepse nuk funksionojnë në shi ose borë dhe nuk mund të depërtojnë në re.

Megjithatë, ai tha se "rrezja e hekurt" e Izraelit ka një arsyetim, por kryesisht si një mënyrë për të kursyer para. Raketat interceptore të shtrenjta të Izraelit janë krijuar për të mbrojtur qytetet kryesore nga raketat hyrëse, në vend të predhave të mortajave ose dronëve.

"Lufta me raketa është një luftë burimesh. Është më e lirë të bësh raketa sesa të mbrohesh kundër tyre. Pra, çdo gjë që mund të bësh për të ulur kostot e mbrojtjes është e dobishme," tha ai.

"Armët e energjisë mund të jenë të dobishme në uljen e kostove - por nuk do të bëjnë revolucion."

Ndërkohë, gjenerali në pension i ushtrisë australiane Mick Ryan tha për Washington Post se Rusia mund të përdorë lazer në fushën e betejës për të verbuar ushtarët ukrainas, edhe pse kjo është e ndaluar sipas një protokolli të vitit 1995 të shtuar në traktatin e OKB-së, me anë të së cilit ndalohet përdorimi i armëve që shkaktojnë lëndime të tepërta ose kanë ndikim pa dallim.

Nënshkrues të këtij protokolli përveç ShBA-së dhe Britanisë së Madhe është edhe Rusia.

Tjera nga autori:
1