<b>Çfarë fshihet</b> pas ndërprerjes së gazit natyror të Rusisë?

Çfarë fshihet pas ndërprerjes së gazit natyror të Rusisë?

27.04.2022 16:51

Gazprom i Rusisë thotë se po ndalon furnizimet me gaz natyror për Poloninë dhe Bullgarinë, duke përshkallëzuar më tej tensionet midis Kremlinit dhe Evropës lidhur me energjinë dhe pushtimin rus të Ukrainës – dhe duke krijuar një urgjencë të re në planet për të reduktuar shpenzimet si dhe për të sjellë fundin e varësisë së kontinentit për furnizim nafte dhe gazi nga Rusia.

Sipas Associated Press, këto janë gjërat kryesore që duhet të dini për situatën e gazit natyror në Evropë.

ÇFARË PO BËNË RUSIA?

Gjigandi energjetik rus i kontrolluar nga shteti, Gazprom, tha se po e ndërpret furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë sepse këto të fundit refuzuan të paguanin në rubla ruse, siç ka kërkuar Presidenti Vladimir Putin.

Për këtë çështje, udhëheqësit evropianë thonë se kontratat e gazit natyror parashikojnë pagesën në euro ose dollarë dhe kjo nuk mund të ndryshohet papritmas nga njëra anë.

Polonia ka ndërmarrë hapa afatgjatë për t'u mbrojtur në rast të një ndërprerje, si ndërtimi i një terminali importi për gazin e lëngshëm që vjen me anije dhe sido që të jetë, vendi kishte planifikuar të anulonte marrëveshjen e saj të importit me Gazprom në fund të vitit. Ndërkohë, Bullgaria thotë se për momentin ka gaz të mjaftueshëm.

Megjithatë, pyetjet e hapura se çfarë mund të nënkuptojë ndryshimi kanë shkaktuar dridhje në tregjet e energjisë, duke rritur pasigurinë nëse gazi natyror mund të ndërpritet edhe në vendet e tjera evropiane dhe të shkaktojë një goditje të madhe në ekonomi.

Kremlini paralajmëroi se diçka e tillë mund të ndodhë nëse vendet nuk paguajnë për furnizimet me energji në rubla. Por, Rusia gjithashtu mbështetet në shitjet e naftës dhe gazit për të financuar qeverinë e saj pasi sanksionet kanë shtrënguar sistemin e saj financiar.

Sipas sistemit të ri të pagesave, Kremlini ka thënë se importuesit do të duhet të krijojnë një llogari në dollarë ose euro në bankën e tretë më të madhe të Rusisë, Gazprombank, pastaj një llogari të dytë në rubla. Importuesi fillimisht paguan faturën e gazit në euro ose dollarë dhe drejton bankën që t'i këmbejë paratë me rubla.

Ndërkohë, mbi këtë vendim të Putinit, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha të mërkurën se pagesa në rubla shkel sanksionet e Bashkimit Evropian dhe se kompanitë me kontrata "nuk duhet t'i pranojnë kërkesat ruse".

ÇFARË DO TË ARRIJË PUTINI ME KËTË?

Për shkak se urdhri i Putinit për pagesat me rubla synon "vendet jomiqësore", vendimi i tij mund të shihet si hakmarrje për sanksionet e vendosura kundër saj, që kanë ndërprerë shumë banka ruse nga transaksionet financiare ndërkombëtare dhe kanë bërë që disa kompani perëndimore të braktisin bizneset e tyre në Rusi.

Sa i përket motiveve ekonomike për këtë vendim, ato nuk janë të qarta pasi Gazprom do të duhet të shesë 80% të të ardhurave të huaja për rubla, kështu që kjo mënyrë nuk paraqet ndonjë rritje të monedhës ruse. Një motiv më real mund të jetë politik, për t'i treguar publikut në vend se Putini mund të diktojë kushtet e eksportit të gazit, dhe duke kërkuar pagesa përmes Gazprombank, mund te dekurajohet vendosja e sanksioneve të mëtejshme kundër asaj banke.

Nëse Putini do të kërkonte një pretekst për të ndërprerë furnizimet për vendet që kanë mbështetur Ukrainën, kjo mund t'i shërbente atij. Rusia ende po dërgon gaz në Hungari - kryeministri populist i së cilës Viktor Orban ka rënë dakord me marrëveshjen e pagesës së kërkuar nga Putin.

Simone Tagliapietra, një eksperte energjetike dhe bashkëpunëtore e lartë në institutin e mendimit Bruegel në Bruksel, tha se "duke ecur në këtë mënyrë, Rusia po përdor fragmentimin e BE-së - kjo është një strategji përça dhe sundo ... prandaj ne kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar të BE-së".

CILA ESHTE GJENDJA E FURNIZIMIT ME GAZ NË EVROPË?

Sanksionet e koordinuara të ShBA-së dhe Bashkimit Evropian përjashtojnë pagesat për naftën dhe gazin. Ky është një koncesion i Shtëpisë së Bardhë për aleatët evropianë, të cilët janë shumë më të varur nga energjia ruse, e cila siguron 40% të gazit të Evropës dhe 25% të naftës së saj me një kosto prej 850 milionë dollarësh në ditë.

Shumë nuk janë të kënaqur që ndërmarrjet evropiane po blejnë ende energji nga Rusia, e cila, sipas Administratës së Informacionit të Energjisë së ShBA, midis viteve 2011-2021 ka marrë mesatarisht 43% të të ardhurave të saj vjetore të qeverisë nga shitja e naftës dhe gazit.

Vendimi i Rusisë për të reduktuar shitjet e gazit jashtë kontratave afatgjata para luftës, duke kontribuar në një krizë dimërore të energjisë që rriti çmimet, shërbeu si një thirrje zgjimi se varësia e Evropës nga energjia ruse e la atë të pambrojtur. Lufta ka nënkuptuar një rivlerësim të shpejtë të dekadave të politikës energjetike në të cilën gazi i lirë nga Rusia mbështeti ekonominë e Evropës.

Megjithatë, ndërprerja e gazit natyror për Evropën nuk i sjell dobi as Rusisë.

Kur bëhet fjalë për naftën, Rusia teorikisht mund të dërgojë naftë me cisterna diku tjetër, si në Indi dhe Kinë, vende që janë të uritura për energji dhe që nuk kanë sanksionuar Rusinë.

Por gazi është një çështje tjetër, pasi sistemi i tubacioneve të gazit nga depozitat kryesore në Gadishullin Yamal të Rusisë veriore në Evropë nuk lidhet me tubacionin që çon në Kinë. Prandaj, do të duhej që të eksportohet gaz i lëngshëm me anije, diçka që nuk është e lehtë.

A MUND TË PËRBALLOJË EVROPA NJË NDËRPRERJE TOTALE TË GAZIT?

Ekonomia e Evropës do të vuante pa gazin natyror rus, megjithëse ndikimi do të ndryshonte në varësi të sasisë së përdorimit të vendeve. Vlerësimet e ekonomistëve ndryshojnë shumë rreth humbjeve  në ekonominë evropiane në tërësi.

Analistët në Moody's thanë në një studim të fundit se një ndërprerje totale e energjisë - gazit dhe naftës, do ta çonte Evropën në një recesion.

Gjermania, ekonomia më e madhe e kontinentit, është shumë e varur nga energjia ruse. Banka e saj qendrore tha se një ndërprerje totale mund të nënkuptojë 5 pikë përqindje të prodhimit të humbur ekonomik dhe inflacion më të lartë.

Ndërsa dihet se tashmë, inflacioni është në nivele rekord, ku i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë, shtrenjtimi ka prekur që nga sendet ushqimore deri te lëndët e para.

Studimi Bruegel vlerësoi se Evropa do të kishte 10% deri në 15% më pak nga kërkesa normale për energji,   në mënyrë që të kalojë sezonin e dimri, kjo do të thotë që do të duhet të merren masa të jashtëzakonshme për ta reduktuar përdorimin e gazit.

ÇFARË PO BËN EVROPA PËR TË ULUR VARËSINË NGA GAZI RUS?

Udhëheqësit evropianë kanë thënë se nuk mund të përballojnë pasojat e një bojkoti të menjëhershëm. Në vend të kësaj, ata planifikojnë të reduktojnë sa më shpejt përdorimin e gazit rus. Si hap të parë vendet kanë nisur të porosisin më shumë gaz natyror të lëngshëm që vjen me anije, pastaj kërkim të më shumë gazi që vjen nga tubacionet e Norvegjisë dhe Azerbajxhanit, shpërndarje të përshpejtuar të energjisë së erës dhe diellit di dhe nxitje të masave për ruajtje të tij.

Synimi i vendeve është të reduktohet përdorimi i gazit rus me dy të tretat deri në fund të vitit dhe plotësisht deri në vitin 2027. Mbetet për t'u parë nëse ky objektiv mund të arrihet në praktikë, pasi që në terminalet e eksportit ka edhe një kufi për furnizimet me gaz të lëngshëm.

Gjermania, e cila nuk ka terminal importi, po kërkon të ndërtojë dy - por kjo do të marrë vite. Italia, e cila merr 40% të gazit të saj nga Rusia, ka arritur marrëveshje për të zëvendësuar rreth gjysmën e kësaj sasie nga Algjeria, Azerbajxhani, Angola dhe Kongo dhe po kërkon të rrisë importet nga Katari. Ndërsa, Evropa në përgjithësi është nën presion për të rimbushur rezervat e saj nëntokësore në kohë si përgatitje për ngrohjen në dimrin e ardhshëm.

Si përfundim, situata është aq serioze saqë Gjermania ka shpallur një paralajmërim të hershëm për një emergjencë energjetike.

Tjera nga autori:
1