<b></b> Çfarë qëndron prapa kërcënimeve të Turqisë për operacion ushtarak në Siri?

Çfarë qëndron prapa kërcënimeve të Turqisë për operacion ushtarak në Siri?

04.06.2022 09:18

Në veriun e Sirisë, banorët po përgatiten për një luftim të ri. Tash, kur vëmendja e botës është e përqendruar te lufta në Ukrainë, presidenti turk, Rexhep Erdogan, thotë se është duke planifikuar një operacion të madh ushtarak për t’i zmbrapsur luftëtarët kurdë të Sirisë dhe për të krijuar një zonë neutrale në rajonin kufitar.

Associated Press

Tensionet janë të larta. Vështirë se kalon ndonjë ditë pa shkëmbim zjarri e bombardimesh mes luftëtarëve kurdë të Sirisë, të përkrahur nga ShBA-ja, dhe forcave turke e luftëtarëve të opozitës siriane, të përkrahura nga Turqia.

Megjithatë, një sulm i madh nga Ankaraja vjen me rreziqe e ndërlikime, me rrezikun për çrregullim marrëdhëniesh me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Sulmi gjithashtu paraqet rrezik për krijimin e një vale të re të të zhvendosurve në një zonë të rrënuar nga lufta, ku ISIS-i ende fshihet nën hije.

Ambiciet turke

Muajin e kaluar, Erdogani i paraqiti planet për t’i vazhduar përpjekjet turke për krijimin e një zone neutrale me gjerësi prej 30 kilometrash në Siri, përgjatë kufirit jugor turk përmes hyrjes në këtë shtet me ushtri për të luftuar kundër luftëtarëve kurdë të Sirisë, të lidhur me ShBA-në. Erdogani donte ta krijonte këtë zonë që në vitin 2019, por kjo nuk ishte arritur me një operacion ushtarak të zhvilluar atëherë.

“Do t’u shkojmë papritmas një natë dhe ne duhet ta bëjmë këtë”, tha presidenti turk, pa e treguar kohën e saktë të këtij operacioni.

Nga viti 2016, Turqia ka kryer tri operacione të mëdha brenda Sirisë, duke i vënë në shënjestër grupin kryesor të armatosur kurd – Njësitet e Mbrojtjes Popullore ose YPG -, të cilin Turqia e cilëson organizatë terroriste dhe pjesë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e ndaluar me ligj në këtë shtet. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit me dekada ka zhvilluar kryengritje kundër autoriteteve turke.

YPG-ja, megjithatë, është shtyllë e forcave të udhëhequra nga ShBA-ja në luftën kundër militantëve të ISIS-it dhe është dëshmuar si aleat kryesor i Shteteve të Bashkuara në Siri.

Turqia, përmes tri operacioneve të kaluara ushtarake në Siri, tashmë e ka kontrollin në një copë të madhe të territorit sirian, përfshirë qytezat Afrin, Tel Abyad dhe Jarablus. Ankaraja planifikon që të ndërtojë mijëra njësi banimi në ato zona për ta siguruar atë që thotë se do të jetë kthim vullnetar i një milion refugjatëve sirianë nga 3.7 milionë, sa janë tash për tash në Turqi.

Erdogani tha të mërkurën se truat turke tash synojnë që të marrin zona të reja, përfshirë qytezat Tel Rifaat dhe Manbij, e cila shtrihet në një kryqëzim të rëndësishëm rrugësh në autostradën veriperëndimore siriane, të njohur si “M4”. Turqia thotë se luftëtarët kurdë të Sirisë e shfrytëzojnë qytezën Tel Rifaat si bazë për t’i sulmuar zonat e kontrolluara nga luftëtarët opozitarë sirianë, të cilët përkrahen nga Turqia.

Pse tash?

Analistët thonë se ka gjasë që Erdogani sheh një bashkim të rrethanave – edhe ndërkombëtare, e dhe të brendshme – që e kanë krijuar kohën e përshtatshme për një operacion në Siri. Rusët janë të zënë me luftën në Ukrainë, ndërsa amerikanët kanë nevojë që Erdogani të heqë dorë nga ankesat e tij për zgjerimin e NATO-s me përfshirjen e Finlandës dhe Suedisë.

“Ata (turqit) e ndiejnë mundësinë për t’u përpjekur dhe për të marrë lëshime nga Perëndimi”, tha Aaron Stein, shef i hulumtimeve në Institutin për Hulumtime të Politikës së Jashtme në Filadelfia.

Ofensiva në Siri gjithashtu do të mund të përdorej për të grumbulluar votues nacionalistë turq në kohën kur ekonomia e tyre është në rënie e inflacioni ka shkuar në 73.5 për qind. Turqia pritet të mbajë zgjedhje presidenciale e parlamentare vitin e ardhshëm dhe sulmet e kaluara në Siri për t’i larguar luftëtarët e YPG-së e kanë fuqizuar përkrahjen për Erdoganin në zgjedhjet e mëparshme.

Deri më tani, nuk ka shenja të mobilizimit që sinjalizojnë sulm të menjëhershëm, ndonëse ushtria turke do të mund të thirrej goxha shpejt. Megjithatë, luftëtarët kurdë të Sirisë thonë se po e marrin seriozisht kërcënimin e fundit të Turqisë dhe se janë përgatitur për një sulm të mundshëm ndaj tyre.

Ata paralajmërojnë se sulmi do ta prekte luftën e tyre të vazhdueshme kundër ISIS-it dhe aftësinë e tyre për t’i mbrojtur burgjet në veri të Sirisë, ku janë ngujuar mijëra ekstremistë, shumë prej tyre të huaj, nga humbja e ISIS-it para tri viteve.

Lidhjet e Turqisë me ShBA-në dhe Rusinë

Operacioni i gjerë ushtarak bart rreziqe dhe ka gjasë që t’i zemërojë edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Rusinë, të cilat gjithashtu kanë prani ushtarake në pjesën veriore të Sirisë.

Turqia dhe Rusia përkrahin palë rivale në konfliktin 11-vje­çar sirian, por janë bashkërenduar ngushtë për operacionet në veri të Sirisë. Ndonëse Rusia nuk ka komentuar zyrtarisht, ditëve të fundit ka dërguar aeroplanët e helikopterë luftarakë në një bazë afër kufirit me Turqinë, sipas aktivistëve të opozitës siriane.

Si njëra nga aleatet më të ngushta të Sirisë, roli i Rusisë në këtë shtet ka qenë parësor për ta ndryshuar rrjedhën e konfliktit në Siri, që kishte filluar në kohën e kryengritjeve të “Pranverës Arabe” më 2011 – në favor të presidentit sirian, Bashar Al Assad. Luftëtarët e opozitës siriane u kufizuan në një enklavë në veriperëndim dhe në zonën e ndikimit turk.

Por kur Moska është e përqendruar në Ukrainë, ka pak gjasa që Putini t’i dalë në rrugë Erdoganit për atë që, në thelb, është vetëm një rrip toke përgjatë kufirit jugor të Turqisë.

Uashingtoni e ka bërë të qartë kundërshtimin ndaj operacionit ushtarak turk në Siri, duke thënë se ai do t’i vendoste në rrezik fitoret e arritura me vështirësi në fushatën kundër ISIS-it.

“Ne i njohim shqetësimet legjitime të Turqisë për sigurinë në kufirin e saj, por, përsëri, jemi të shqetësuar se çfarëdo ofensive e re do ta minonte më tutje stabilitetin rajonal”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Analisti Stein tha se çfarëdo operacioni do të ishte i ndërlikuar për shkak të pranisë ruse në të dyja pikat e nxehta, Kobani dhe Tel Rifaat.

Se a do të zhvillohet operacioni, krejt varet nga pyetjet se sa është i përgatitur Erdogani që të shkojë në Siri, sidomos në zonën Kobani dhe përreth saj dhe se a do të sfidohej nga Uashingtoni dhe Moska.

“Sa dëshiron që të rrezikojë ai? Dëshmitë që kemi thonë se ai rrezikon shumë”, tha analisti./Nacionale

Përktheu: Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1