<b></b> Danimarka do t'i bashkohet politikës së mbrojtjes së BE-së pas votimit të djeshëm historik

Danimarka do t'i bashkohet politikës së mbrojtjes së BE-së pas votimit të djeshëm historik

02.06.2022 09:27

Danimarka do t'i bashkohet politikës së mbrojtjes të Bashkimit Evropian pas referendumit të mbajtur dje (1 qershor), kanë treguar rezultatet përfundimtare, duke sinjalizuar ndryshimin e fundit midis vendeve nordike për të thelluar lidhjet e mbrojtjes në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Danimarka është i vetmi anëtar i BE-së që nuk është pjesë e politikës së mbrojtjes dhe sigurisë së bllokut. Referendumi shënon herën e parë që një qeveri ka arritur të shfuqizojë një nga disa përjashtime të siguruara në referendumin e vitit 1993 mbi Traktatin e Mastrihtit.

Rezultatet përfundimtare treguan se pothuajse 67% e votuesve ishin në favor të heqjes së përjashtimit nga e ashtuquajtura Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) e BE-së, në atë që ishte shfaqja më e madhe e regjistruar e mbështetjes në një referendum për një çështje të BE-së në Danimarkë.

Rreth 33% e votuesve ishin kundër.

Vota për heqjen e përjashtimit është një fitore për ata që janë në favor të një bashkëpunimi më të madh me BE-në, ndërsa ata që janë kundër kanë argumentuar se pakti i mbrojtjes i BE-së është i tendosur nga burokracia dhe se pjesëmarrja e Danimarkës në operacionet ushtarake të BE-së do të jetë shumë e kushtueshme.

“Ne u kemi dërguar një sinjal aleatëve tanë në NATO, në Evropë. Dhe ne i kemi dërguar një sinjal të qartë Putinit”, ka thënë kryeministrja, Mette Frederiksen, vonë të mërkurën pasi shumica e votave ishin numëruar, shkruan Euractiv.

“Kur Putini pushton një vend të lirë dhe të pavarur, kur Putini kërcënon paqen dhe stabilitetin, ne të gjithë duhet të bëhemi bashk”, tha Frederiksen.

Megjithëse nuk është një rezultat që do të ketë implikime të mëdha praktike për Bashkimin Evropian, rezultati do të shihet pozitivisht në Bruksel, ka thënë Christine Nissen, studiuese në Institutin Danez për Studime Ndërkombëtare.

Në ndryshimet historike të politikave, Suedia dhe Finlanda vendosën këtë muaj të aplikojnë për anëtarësim në NATO, ndërsa Danimarka dhe Gjermania tashmë kanë premtuar të rrisin ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes.

Danimarka është një anëtar themelues i NATO-s, por fuqia më e madhe ushtarake e aleancës, Shtetet e Bashkuara, kanë sinjalizuar se aleatët evropianë duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Tash e tutje, Danimarka do të ketë mundësi të marrë pjesë në operacione të përbashkëta ushtarake, të tilla si ato në Somali, Mali, dhe Bosnje-Hercegovinë, dhe të bashkëpunojë në blerjen e mjeteve të përbashkëta ushtarake.

Tjera nga autori:
1