<b></b> Danimarka pritet që këtë muaj t'i bashkohet Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së

Danimarka pritet që këtë muaj t'i bashkohet Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së

05.06.2022 11:42

Ministria e Jashtme pret që Danimarka t'i bashkohet Bashkëpunimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje më 1 korrik, ka thënë në një deklaratë për shtyp ministri i Jashtëm danez, Jeppe Kofod pasi rreth dy të tretat e danezëve mbështetën një lëvizje të tillë në referendumin e së mërkurës.

Referendumi, në të cilin 66.9% votuan në favor të anëtarësimit në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së, i dha fund politikës afër 30-vjeçare të largimit të Danimarkës për çështjet e mbrojtjes. Që nga viti 1993, Danimarka nuk ka marrë pjesë në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP).

“Danezët kanë folur. Tani mund të marrim pjesë plotësisht në bashkëpunimin evropian për sigurinë dhe mbrojtjen, dhe kështu të marrim përgjegjësi më të madhe për sigurinë e fqinjësisë sonë," ka thënë Kofod në një deklaratë për shtyp, shkruan Euractiv.

“Ky është një hap i mirë dhe i rëndësishëm. Uniteti në Evropë është përgjigja më e mirë që mund të japim në situatën në të cilën ndodhemi”, tha Kofod.

Megjithatë, disa hapa zyrtarë janë ende të nevojshëm. “Përpara se Danimarka të shfuqizojë përfundimisht përjashtimin e saj të mbrojtjes, ka disa hapa formalë që duhen trajtuar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Projektligji duhet së pari të ratifikohet dhe një sërë çështjesh praktike do të duhet të sqarohen përpara se ministri i jashtëm të informojë vendet e tjera anëtare të BE-së se Danimarka anulon përjashtimin.

Pas referendumit të së mërkurës, 26 nga 27 vendet e BE-së tani marrin pjesë plotësisht në bashkëpunimin e BE-së për mbrojtjen dhe sigurinë. Vetëm Malta është e përjashtuar nga Politika e Përbashkët e Sigurisë dhe Mbrojtjes pasi vendi mban statusin e saj të neutralitetit.

Tjera nga autori:
1