<b></b> Del nga shinat një tren në Iran, 21 pasagjerë të vdekur e 87 të lënduar

Del nga shinat një tren në Iran, 21 pasagjerë të vdekur e 87 të lënduar

08.06.2022 16:59

Një tren pasagjerësh që ishte duke udhëtuar nëpër Iranin lindor, ka dalur nga shinat mëngjesin e së mërkurës, duke lënë të vrarë të paktën 21 persona dhe duke plagosur 87 të tjerë.

Sipas zyrtarëve, dalja e trenit nga shinat pranë qytetit të shkretëtirës Tabas ishte fatkeqësia e fundit që goditi Republikën Islamike në javët e fundit, ndërsa Teherani po lufton nën sanksionet e SHBA-së.

Treni, i operuar nga Hekurudhat e Republikës Islamike, ishte duke transportuar rreth 350 njerëz ndërsa udhëtonte nga qyteti i Tabas për në qytetin Yazd.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje rreth aksidentit, por një pasagjer i plagosur ka thënë për televizionin shtetëror iranian se “pasagjerët po kërcenin në tren si topa në ajër”.

Në një vend me komunikim të dobët, zyrtarët njoftuan se ekipet e shpëtimit me ambulanca dhe helikopterë kishin arritur në vendngjarje, duke transferuar të lënduarit në spitalet lokale.

Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi ka shprehur ngushëllimet e tij për rastin, duke thënë se do të nisin hetimet për shkaqet e tij.

Fatkeqësia më e rëndë me tren në Iran, kishte ndodhur në vitin 2004, kur një tren i ngarkuar me benzinë, plehra, squfur dhe pambuk  kishte dalë nga shinat pranë qytetit historik të Neyshaburit, duke lënë të vrarë rreth 320 njerëz, duke plagosur 460 të tjerë dhe duke dëmtuar pesë fshatra.

Ndërsa, edhe në vitin 2016,  kishte ndodhur një përplasje tjetër treni në Iranin verior, që kishte lënë të vdekur të paktën 43 persona dhe 100 të tjerë të plagosur.

Tjera nga autori:
1