<b></b> Deputeti rus kërkon që mbrojtësit e Mariupolit të ekzekutohen

Deputeti rus kërkon që mbrojtësit e Mariupolit të ekzekutohen

17.05.2022 20:57

Mbrojtësit e fundit heroikë të Mariupolit duhet të dënohen me vdekje, ka thënë sot një deputet rus në një kërcënim rrënqethës të lëshuar vetëm disa orë pasi ata dorëzuan fabrikën e çelikut Azovstal.

Leonid Slutsky, një politikan i lartë në Partinë Liberale Demokratike të Rusisë, i quajti luftëtarët e batalionit Azov, "kafshë në formë njerëzore" dhe tha se ata "nuk meritojnë të jetojnë", pas krimeve monstruoze kundër njerëzimit që kanë kryer.'

Ai i bëri komentet gjatë një debati në parlamentin e Moskës rreth çështjes së shkëmbimit të ushtarëve të Azov me rusët e kapur në Ukrainë.

Kievi ka thënë se pas 82 ditësh nën rrethim trupat mbrojtëse kanë rënë dakord të lënë armët e tyre me premtimin se do të shkëmbeheshin me ushtarët rusë të kapur rob.

Ndërkohë, Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës së Shtetit, tha se anëtarët e Azov janë "nazistë" të cilët nuk duhet të përfshihen në shkëmbimet e të burgosurve.

"Ata janë kriminelë lufte dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t'i sjellë para drejtësisë," tha ai.

Rreth 260 ushtarë të batalionit Azov u nxorën nga fabrika e çelikut Azovstal brenda natës pasi u dorëzuan, ndërsa pjesa e mbetur do të nxirret sot.

Është bërë e ditur se luftëtarët po dërgohen në dy lokacione. Dhjetra prej tyre që janë të plagosur janë drejtuar në një qytet të quajtur Novoazovsk, rreth 30 milje në lindje, ndërsa pjesa tjetër shkon në Olenivka, 55 milje në veri. Të dyja këto vende janë nën kontrollin e grupeve separatiste ruse.

Komandanti i Azov, Denys Prokopenko, njoftoi dorëzimin në një video-mesazh të publikuar mbrëmë, duke thënë se njerëzit e tij kishin 'kryer urdhrin' për të mbajtur forcat ruse në qytet, gjë që kishte lejuar ushtrinë ukrainase të rigrupohej, të stërvitej më shumë burra dhe të merrte armë nga jashtë vendit.

I rrahur, i përgjakur, por i papërkulur, ai tha se 'i gjithë garnizoni i Mariupolit' tani do të evakuohet nga qyteti në një përpjekje 'për të shpëtuar jetë'.

Mesazh të ngjashëm dha më vonë edhe presidenti Zelensky duke thënë se: "Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas të gjallë".

Pasi të përfundojë tërheqja, do të thotë se Mariupoli, dikur një qytet i begatë në Detin Azov do të bjerë në duart e Moskës.

Ai do të bëhet qyteti më i madh që do të bjerë nën kontrollin rus deri tani dhe do t'i sigurojë Putinit një fitore të nevojshme propagandistike.

Qyteti do të bëhet një 'korridor tokësor' nga Donbasi i pushtuar për në Krime, i parë si një nga objektivat kryesore të 'operacionit'. Por marrja e këtij qyteti erdhi më një kosto shumë të madhe.

Rusia, për ta kapur atë është detyruar të shkatërrojë pothuajse plotësisht qytetin, me më shumë se 12 batalione trupash dhe pajisje të rënda të shkatërruara gjatë procesit. Dhe nuk ka dyshime se kjo përpjekje ka penguar edhe përparime në vende të tjera në Donbas.

Mendohet se forcat e Putinit në atë rajon janë dobësuar aq shumë, sa komandantët kanë hequr dorë nga përpjekja për të rrethuar trupat ukrainase dhe në vend të kësaj janë fokusuar në marrjen e kontrollit të plotë të rajonit të Luhanskut duke pushtuar qytetet simotra Severodonetsk dhe Lysychansk.

Tjera nga autori:
1