Më herët është raportur për paradën e madhe ushtarake të mbajtur në Moskë për të shënuar Ditën e Fitores, por një ngjarje shumë më e vogël u mbajt gjithashtu në qytetin e shkatërruar të Mariupolit në jug të Ukrainës.
Pas javësh bombardimesh dhe luftimesh intensive, qyteti port strategjik është tashmë tërësisht në duart e forcave ruse dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, me përjashtim të fabrikës së çelikut Azovstal, ku luftëtarët e mbetur ukrainas janë të rrethuar, por që refuzojnë të dorëzohen.
Një numër i vogël njerëzish dolën me balona me ngjyrat e flamurit rus për të shënuar fitoren ndaj Gjermanisë naziste në 1945.
Një flamur i madh me ngjyrat e shiritit të Shën Gjergjit, një simbol i lidhur me ushtrinë ruse dhe i përdorur si shenjë mbështetjeje për Kremlinin, u mbajt nëpër rrugë.
Zyrtarët ukrainas thonë se 90% e qytetit është shkatërruar ose dëmtuar nga sulmet ruse, por marshimi kaloi nëpër një zonë që dukej se ishte kryesisht e padëmtuar.
Diku tjetër në qytet sot, këta fëmijë janë fotografuar duke ecur pranë ndërtesave të shkatërruara. Qyteti dikur ishte shtëpia e 450,000 njerëzve, një pjesë e madhe e tyre rusishtfolës.
Dhjetëra mijëra persona janë ende atje, pasi janë strehuar në bodrume për javë të tëra nën rrethim dhe bombardime - me ujë, energji dhe komunikime të ndërprera.