<b></b> Nuk e ndal agresionin, por Vladimir Putin bën thirrje për unitet e patriotizëm

Nuk e ndal agresionin, por Vladimir Putin bën thirrje për unitet e patriotizëm

12.06.2022 20:23

Në një fjalim të mbajtur për të shënuar Ditën e Rusisë, presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të "jenë të bashkuar" dhe të ndërtojnë "ndjenjat e thella të patriotizmit".

Duke folur në Kremlin, presidenti rus tha se rëndësia e unitetit dhe patriotizmit ishte "aq e qartë sa kurrë më parë".

Putin lavdëroi sërish sundimtarin rus Pjetri i Madh, carin e shekullit të 18-të me të cilin ai e krahasoi veten në fillim të kësaj jave, duke e quajtur atë një "reformator të madh" dhe deke nderuar "transformimet e tij të thella".

Ai u kërkoi qytetarëve rusë të njohin forcën e traditave shekullore, duke u shprehur me këto fjalë:

“Paraardhësit tanë na dhuruan këtë unitet, besnikërinë tonë ndaj atdheut dhe përgjegjësinë për të ardhmen e tij.

Ne e dimë forcën e këtyre traditave shekullore, vlerave morale dhe themeleve shpirtërore, të cilat janë riafirmuar gjatë gjithë historisë mijëravjeçare të kombit tonë multietnik, duke na bashkuar sot.

Kombi ynë e ka konsideruar prej kohësh këtë ndjenjë të sinqertë dhe të thellë patriotike si të shenjtë. Rëndësia e unitetit për njerëzit tanë, shoqërinë tonë, vendin tonë është e qartë për ne sot si kurrë më parë.”

Dita e Rusisë shënon miratimin zyrtar të Deklaratës së Sovranitetit të Federatës Ruse më 12 qershor 1990 dhe festohet prej tre dekadaash.

Sipas zyrtarëve lokalë, festimet vijnë, pasi forcat ruse në Ukrainë hodhën në erë një urë që lidh qytetin ukrainas të sulmuar të Sievierodonetsk me një qytet tjetër përtej lumit, duke ndërprerë një rrugë të mundshme evakuimi për civilët.

Sievierodonetsk është bërë qendra e betejës për kontrollin mbi rajonin lindor të Ukrainës, Donbas, ku forcat ruse kanë marrë pjesën më të madhe të qytetit, ndërsa Ukraina mbetet nën kontrollin e një zone industriale dhe një fabrike kimike ku janë strehuar qindra persona.

Tjera nga autori:
1