<b></b> Dorëzohet Putin, ndalon kërcënimet për Suedinë e Finlandën që synojnë NATO-n

Dorëzohet Putin, ndalon kërcënimet për Suedinë e Finlandën që synojnë NATO-n

16.05.2022 19:05

Vladimir Putin duket se ka hequr dorë të hënën nga kundërshtimet e Rusisë për anëtarësimin e Suedisë e Finlandës në NATO. Putin tha se Moska nuk kishte asnjë problem me hyrjen e tyre në aleancën ushtarake të udhëhequr nga ShBA, të cilës tani Suedia dhe Finlanda synojnë t’i bashkohen si reagim ndaj pushtimit rus në Ukrainë.

Edhe pse lideri rus tha se vetë zgjerimi i NATO-s nuk ishte një kërcënim, ai tha se Moska do të përgjigjej në rast se NATO do të zhvendoste më shumë trupa ose pajisje ushtarake në territorin e anëtarëve të saj të rinj.

"Për sa i përket zgjerimit, duke përfshirë anëtarët e rinj Finlandën dhe Suedinë, Rusia nuk ka probleme me këto shtete - asnjë. Dhe kështu në këtë kuptim nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm për Rusinë nga një zgjerim që përfshinë këto vende," tha Putin, raporton Reuters.

Komentet e tij të bëra gjatë ditës së sotme, dukej se shënonin një ndryshim të madh të politikës ruse. Pasi, Moska për dekada e ka konsideruar zgjerimin e NATO-s dhe përfshirjen e anëtarëve të rinj, si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë dhe duke e përmendur atë si një justifikim për pushtimin e vetë Ukrainës.

Vetëm disa orë përpara se Putini të fliste, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Finlanda dhe Suedia po bënin një gabim që do të kishte pasoja të mëdha: "Ata nuk duhet të kenë iluzione se ne thjesht do ta durojmë."

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i pyetur të enjten e kaluar nëse bashkimi i Finlandës në NATO ishte një kërcënim për Rusinë, kishte thënë: "Patjetër. Zgjerimi i NATO-s nuk e bën kontinentin tonë më të qëndrueshëm dhe të sigurt."

Por përballë perspektivës se veprimet e tij mund të shkaktojnë vetë zgjerimin e NATO-s që ai kishte kundërshtuar, Putini duket se ka vendosur të mos kundërshtojë drejtpërdrejt.

Megjithatë, ai tha se zgjerimi i NATO-s po përdorej nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë "agresive" për të përkeqësuar një situatë tashmë të vështirë të sigurisë globale dhe se Rusia do të përgjigjej nëse aleanca lëviz armët ose trupat përpara.

"Zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këtë territor sigurisht që do të provokonte përgjigjen tonë. E se cila do të jetë ajo (përgjigja) - do të shohim se çfarë kërcënimesh janë krijuar për ne," tha Putin. "Problemet po krijohen pa asnjë arsye. Ne do të reagojmë në përputhje me rrethanat."

Finlanda dhe Suedia, të dyja të paangazhuara gjatë Luftës së Ftohtë, tani thonë se duan mbrojtjen e ofruar nga traktati i NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj çdo anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

"Ne po lëmë një epokë pas nesh dhe po hyjmë në një të re," tha kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, duke njoftuar planet për të braktisur zyrtarisht statusin ushtarakisht të paangazhuar që ka qenë një gur themeli i identitetit kombëtar suedez për më shumë se 200 vjet.

“NATO do të forcojë Suedinë, Suedia do të forcojë NATO-n”, shtoi ajo.

Zyrtarët suedezë dhe finlandezë kanë thënë se Putini nuk ka askënd për të fajësuar përveç vetes për vendimet e tyre për t'u bashkuar me NATO-n. Ish-kryeministri suedez Carl Bildt postoi një foto të një çmimi të rremë për Putinin si "Shitësi i vitit i NATO-s".

Ndërkohë, Kjell Engelbrekt, profesor i shkencave politike në Universitetin Suedez të Mbrojtjes, tha se Putini dukej se po përpiqej të "kufizonte dëmin", megjithëse është shumë herët për të thënë nëse ai po e pranonte tani zgjerimin e NATO-s si "një fakt të kryer".

Moskës tani i kanë mbetur pak opsione ushtarake për të ndjekur retorikën e saj të mëparshme "shumë bindëse" duke kërkuar që nordikët të mos bashkohen kurrë në NATO, tha Engelbrekt.

"Duke pasur parasysh se burimet ushtarake ruse janë mjaft të shtrira në këtë kohë....ato nuk mund të përputhen me intensifikim apo me vendosjen për shpërndarjen e tyre në këtë pjesë të Evropës."

Tjera nga autori:
1