<b></b> Dosjet e policisë kineze e zbulojnë koston njerëzore të ndalimit të ujgurëve

Dosjet e policisë kineze e zbulojnë koston njerëzore të ndalimit të ujgurëve

24.05.2022 13:17

Mijëra fotografi nga zemra e sistemit shumë sekret të burgosjes masive si dhe politika “qëllo për të vrarë” për ata që mundohen të ikin, janë në mesin e një grumbulli të madh të të dhënave të hakuara nga serverët kompjuterikë të policisë kineze. Televizioni “BBC” i ka siguruar këto dosje.

Dosjet e policisë së Xinjiangut, siç po quhen, i janë dhënë “BBC”-së më herët këtë vit. Pas përpjekjes disamujore për hulumtimin dhe vërtetimin e tyre, ato mund të shfaqen për të ofruar pamje të reja të internimit të ujgurëve dhe pakicave të tjera turkike në rajon.

Publikimi i dosjeve rastis me arritjen në Kinë të komisioneres së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, për vizitë kundërthënëse në Xinjiang. Kritikët janë të shqetësuar se itinerari i saj do të jetë nën kontrollin e rreptë të qeverisë.

Grumbulli i të dhënave e zbulon, në hollësi të pashembullta, përdorimin e kampeve të “riedukimit” dhe burgjeve zyrtare si dy sistemeve të ndara por të lidhura të ndalimit masiv të ujgurëve dhe e vë seriozisht në pikëpyetje narracionin publik për këtë çështje.

Dokumentet i ofrojnë disa nga dëshmitë më të fuqishme deri më tani për politikën që në shënjestër e ka pothuajse secilën shprehje të identitetit, kulturës ose besimit islam të ujgurëve  dhe për një zinxhir komande, që ngjitet deri te presidenti kinez, Xi Jinping.

Në disa fotografi të personave të ndaluar në kampe “riedukimi” shihen roja me shkopinj. Kjo vërehet te fotografia e të riut, Ilham Ismayil, 30 vjeç. Ai është dërguar në kamp “riedukimi” në shkurt të vitit 2018. Arsyeja nuk përmendet.

Shumë njerëz janë ndaluar vetëm për shkak të shenjave të jashtme, të zakonshme të besimit të tyre islam ose për shkak të vizitave te popullsitë me shumicë myslimane.

Kërcënimi me forcë fizike shihet edhe në prapavijën e  fotografisë së një gruaje të quajtur Tajigul Tahir, 60 vjeçe. Në dokumente, biri i saj përshkruhet si person me “prirje të fuqishme fetare”, sepse nuk pi alkool dhe nuk thith duhan. Si rezultat, ai është dënuar me dhjetë vite burgim nën akuza për terrorizëm.

Megjithatë, nëna e tij shfaqet shfaqen në listën e “familjarëve të të ndaluarve” – në mesin e mijëra njerëzve ndaj të cilëve janë ngritur dyshime për shkak të “krimeve” të familjeve të tyre.

Nga 2.884 fotografitë e personave të ndaluar, më e reja është Rahile Omer. Ajo ishte vetëm 15-vjeçare, kur u ndalua nga autoritetet. Më e moshuara është Anihan Hamit, 73 vjeçe.

Në mesin e dokumenteve që janë hakuar përfshihen fjalime të klasifikuara të zyrtarëve të lartë, udhëzime të brendshme të policisë, informata për personelin, hollësi për burgosjen e më shumë se 20.000 ujgurëve dhe fotografi nga vende shumë të ndjeshme.

Burimi i dosjeve pretendon se i ka hakuar, shkarkuar dhe enkriptuar ato nga disa serverë kompjuterikë të policisë në Xinjiang, para se t’ia dhuronte Dr. Adrian Zenz-it nga organizata “Fondacioni Përkujtimor për Viktimat e Komunizmit” me seli në Shtetet e Bashkuara, i cili më parë është sanksionuar nga qeveria kineze për shkak të hulumtimeve të tij me ndikim për Xinjiangun.

“Materiali është i paredaktuar, i paprekur, i pazbutur, i llojllojshëm. Kemi gjithçka. Kemi dokumente konfidenciale. Kemi transkriptime të fjalimeve, ku udhëheqësit lirshëm flasim për atë që vërtet e mendojnë. Kemi fletë të llogaritjeve. Kemi pamje. Është tërësisht e pashembullt dhe kjo e shqyen mbulesën kineze të propagandës”, tha ai.

Në grumbullin e protokolleve të brendshme policore përshkruhet përdorimi rutinor i oficerëve të armatosur në të gjitha zonat e kampeve, pozicionimin e mitralozëve dhe snajperëve në kullat e vrojtimit dhe ekzistencën e një politike “qëllo për të vrarë” për ata që mundohen të ikin.

Lidhja e syve, prangat e duarve dhe të këmbëve janë të detyrueshme për secilin “student” që dërgohet nga njëri objekt te tjetri ose edhe në spital.

Sipas analizës së të dhënave nga Dr. Zenz, vetëm në një distrikt, 22.762 banorë – mbi 12 për qind e popullsisë së të rriturve – ndodheshin në kampe ose burgje gjatë viteve 2017 dhe 2018. Nëse kjo zbatohet në tërë rajonin e Xinjiangut, nënkuptohet ndalimi i mbi 1.2 milion ujgurëve dhe pjesëtarëve të rritur të pakicave të tjera – shifër që është brenda vlerësimeve të ekspertëve për Xinjiangun e që Kina gjithmonë i ka mohuar.

Përktheu: Nasuf Abdyli - Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1