<b></b> Dronët Bayraktar: Arma më e kërkuar e Turqisë fiton luftërat, por rrezikon edhe nisjen e tyre

Dronët Bayraktar: Arma më e kërkuar e Turqisë fiton luftërat, por rrezikon edhe nisjen e tyre

29.05.2022 17:38

Bayraktar TB2, i prodhuar nga Baykar Aviation me qendër në Stamboll, është bërë aq i famshëm në Ukrainë saqë mund të jetë arma e parë dhe e vetme e luftës në botë së cilës i është kushtuar edhe një video muzikore.

Ditën e enjte, ministri i mbrojtjes i Lituanisë njoftoi një fushatë në televizion për të mbledhur para për një TB2 për ukrainasit.

"Nuk mund të mbaj mend një bujë të tillë rreth një arme specifike," kështu u shpreh Joe Dyke, nga Airwars, një organizatë e përkushtuar për të gjurmuar viktimat civile në konfliktet e armatosura.

 “Askush nuk këndoi këngë për dronët Predator ose Reaper. Është një moment ku të gjithë po flasin për Bayraktarin”.

Megjithatë, profili i lartë i armëve ka nxitur gjithashtu shqetësime duke përhapur një numër kritikash, përfshirë nga ekspertët ushtarakë dhe avokatët e të drejtave të njeriut.

“India, Tajlanda, Tajvani po përpiqen të zhvillojnë këtë aftësi dhe disa po i drejtohen Turqisë”, thotë Chris Cole, themeluesi i Drone UK.

“Nëse armiku juaj i ka, duhet t'i keni edhe ju, veçanërisht pasi Turqia duket e gatshme t'ia shesë kujtdo."

Baykar Technologies, kontraktori privat i mbrojtjes që shpiku Bayraktar TB2 në vitin 2014 dhe ka prodhuar dhe shpërndarë të paktën 300 prej tyre, nuk i është përgjigjur kërkesave për intervistë nga The Independent.

Kjo kompani, është themeluar nga i ndjeri Ozdemir Bayraktar, një ish lojtar i njohur në Turqi. Ndërsa tani, drejtori i përgjithshëm i kompanisë është, Haluk Bayraktar, i cili kryeson edhe bordin e lobit kryesor të mbrojtjes së Turqisë, ndërsa vëllai i tij Selcuk, është i martuar me vajzën e presidentit turk Recep Tayipp Erdogan.

Sipas ligjit, Turqia vendos kontrolle mbi eksportin e Bayraktar TB2 prej 6 milion dollarësh dhe shitjet duhet të miratohen nga ministria e Mbrojtjes dhe zyra e Erdogan. Por rregullat dhe kriteret e sakta për vendet që dëshirojnë të blejnë armën nuk janë publike.  Një zyrtar nga ministria e Tregtisë së Turqisë, është shprehur për The Independent, se “nuk flitet për këtë”.

Bayraktar është përdorur me një efekt shkatërrues kundër armatimit rus për të ndalur avancimin e pushtimit të Ukrainës, duke i sjellë Turqisë mirënjohje nga presidenti ukrainas Zelensky, ankesa të herëpashershme nga Moska dhe lëvdata të rralla nga partnerët perëndimorë në një kohë kur marrëdhëniet midis Ankarasë dhe aleatëve të saj në NATO janë të tensionuara.

Ndërsa, sipas videove të promovuara nga forcat e armatosura ukrainase, TB2 ka shkatërruar dhjetëra pjesë të artilerisë ruse, si dhe disa anije në Detin e Zi. Me sa duket, droni ka luajtur një rol në shpërqendrimin e mbrojtjes së Moskës përpara se anija kryesore e flotës ruse të fundosej nga raketat Neptun në muajin prill.

Ndërkohë, ekspertët e kontrollit të armëve kanë sugjeruar se përdorimi efektiv nga Ukraina i dronëve kundër forcave pro-ruse në rajonin e Donbasit, duke filluar në tetor 2021, mund të ketë nxitur, ndikuar ose përshpejtuar vendimin e Putinit për të nisur një pushtim të gjithanshëm në shkurt. Ende mbetet e paqartë se sa dronë ka shitur Baykar jashtë vendit, por edhe një pjesë e vogël e tyre do të arrinte në qindra miliona dollarë të ardhura për pajisje, trajnime, mirëmbajtje dhe pjesë këmbimi.

Eksportet e industrisë së armëve të Turqisë janë rritur nga rreth 250 milionë dollarë që ishin në vitin 2002 në më shumë se 3 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe mund të arrijnë në 4 miliardë dollarë në vitin 2022, tha në një intervistë për një transmetues turk në muajin mars, shefi i ministrisë së industrisë së mbrojtjes të Turqisë, Ismail Demir.

Bayraktar Akinci, është një dron tjetër që ka hyrë në shërbim vitin e kaluar, është më i madh, mund të fluturojë në lartësi më të mëdha dhe është në gjendje të mbajë ngarkesa më të mëdha se TB2.

Muajin e kaluar, ky dron ka kryer misionet e para luftarake, duke goditur objektiva që supozohet se mbaheshin nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irakun verior. Ndërsa, industria e Hapësirës Ajrore Turke me bazë në Ankara gjithashtu prodhon një linjë dronësh që mund të përdoren si për vëzhgim ashtu edhe për luftim.

Faqja e internetit e Baykar liston disa vende pune për specialistë të inteligjencës artificiale, pasi do të përmirësojë aftësitë autopilot të dronëve, si dhe "të identifikojë objektet" në imazhet e kapura nga kamerat e tyre, duke lënë të kuptohet mundësinë që dronët mund të pajisen përfundimisht me aftësinë e sulmit autonom. Ndërkohë, një tjetër version i ardhshëm i Bayraktar mund të lëshohet nga anijet.

Të udhëhequr nga industria e armëve të Turqisë, dronët po ndryshojnë luftën në mbarë botën. Por shumë veta mendojnë se aftësia për t'u shkaktuar dëme të rënda kundërshtarëve të tyre pa frikën e humbjes së personelit, do ta bëjë botën më pak të sigurt.

“Ata thjesht duken se po furnizojnë me dronë të armatosur këdo që i kërkon ata, dhe nuk kanë kritere për refuzim për arsye të sigurisë rajonale apo të të drejtave të njeriut”, u shpreht Cole.

 “Duket se ata po ndjekin thjesht paratë, dhe kjo është shumë shqetësuese.”

Artikull nga The Independent.

Tjera nga autori:
1