<b></b> E mbijetuara 11 vjeçe e sulmit në Teksas e leu veten me gjakun e shoqes dhe u bë si e vdekur

E mbijetuara 11 vjeçe e sulmit në Teksas e leu veten me gjakun e shoqes dhe u bë si e vdekur

28.05.2022 10:51

Një nxënëse 11-vjeçare, e cila mbijetoi në sulmin që ndodhi në Shkollën Fillore “Robb” të Teksasit, u frikësua se sulmuesi do të kthehej për ta vrarë, prandaj e leu veten me gjakun e shoqes dhe u bë sikur ka vdekur.

Nxënësja e quajtur Miah Cerrillo foli për televizionin “CNN” për përjetimin e saj të tmerrshëm në ditën e sulmit, kur në klasën e saj u vranë 19 nxënës dhe dy mësues.

Miah tha se ajo dhe shokët e shoqet e klasës ishin duke e shikuar filmin “Lilo and Stitch” bashkë me dy mësuese, Eva Mireles dhe Irma Garcia. Nxënësit e kishin mbaruar mësimin, kur mësueset morën vesh se në shkollë ndodhet një sulmues, rrëfen nxënësja.

Njëra mësuese shkoi për ta mbyllur derën me çelës, por Miah thotë se sulmuesi tashmë kishte arritur dhe e goditi xhamin e derës. Nxënësja thotë se mësuesja dhe sulmuesi u futën në klasë, sulmuesi pati kontakt me sy me njërën nga mësueset, i tha “natën e mirë” dhe e qëlloi me armë.

Ai hapi zjarr, duke qëlluar shumë nxënës dhe mësuesen tjetër. Nxënësja thotë se plumbat fluturuan afër saj dhe disa copa të tyre e goditën në krahë dhe në kokë. Vajza u trajtua më vonë në spital dhe u lirua me plagë nga copat e plumbave. Ajo thotë se disa pjesë të flokëve po i bien.

Miah tha se pas të shtënave në klasën e saj, sulmuesi hyri në një klasë tjetër ngjitur me të. Ajo thotë se dëgjoi bërtitje dhe zhurmën e të shtënave në klasën tjetër. Pasi u ndalën të shtënat, nxënësja thotë se sulmuesi lëshoi muzikë vajtuese.

Kjo nxënëse dhe një tjetër arritën që ta merrnin telefonin e mësueses dhe t’i thërrisnin shërbimet emergjente për ndihmë.

Miha thotë se frikësohej se sulmuesi do të kthehej që t’i vriste atë dhe disa nxënës të tjerë që kishin mbijetuar. Për këtë arsye, i bëri duart me gjakun e një nxënësi, që ndodhej shtrirë afër saj, dhe pastaj e leu trupin e vet me gjak e u bë sikur kishte vdekur.

Ajo tha se iu duk sikur kaluan tri orë shtrirë, ndërsa më pas i dëgjoi policët duke folur e duke pritur jashtë shkollës. Në këtë pjesë të rrëfimit, nxënësja filloi të qante, duke thënë se nuk mund të kuptonte se pse policët nuk hynin në shkollë për t’i shpëtuar nxënësit.

Nëna e nxënëses thotë se bija e saj është e traumatizuar dhe nuk mund të flejë. Prindërit e saj kanë hapur një llogari për të mbledhur të holla për terapinë e saj./Nacionale

Tjera nga autori:
1