<b></b> “E pamundshmja” – Misionet sekrete e vdekjeprurëse ukrainase të shpëtimit

“E pamundshmja” – Misionet sekrete e vdekjeprurëse ukrainase të shpëtimit

21.06.2022 12:37

Siç e kishte shprehi para çdo fluturimi, piloti veteran i ushtrisë ukrainase e përkëdheli helikopterin “Mi-8” për t’u sjellë fat atij dhe ekuipazhit.

Associated Press

Do të kishin nevojë për të. Destinacioni i tyre – një fabrikë e rrethuar në qytetin e Mariupolit – ishte kurth vdekjeje. Disa anëtarë të ekuipazhit nuk u kthyen të gjallë.

Megjithatë, misioni ishte jetik, madje dëshpërues. Ushtarët ukrainas ishin nën presion, furnizimet po u pakësoheshin, shifrat e të vdekurve e të lënduarve po rriteshin. Qëndresa e tyre e fundit në fabrikën “Azovstal” po bëhej simbol i rezistencës ukrainase në luftën kundër Rusisë. Nuk mund të lejohej mbarimi i tyre.

Piloti 51-vjeçar, i identifikuar vetëm me emrin Oleksandr, e drejtoi misionin për në Mariupol, duke e cilësuar si fluturimin më të vështirë në karrierën e vet 30-vjeçare. Ai tha se rrezikoi, sepse nuk donte që luftëtarët në “Azovstal” të ndiheshin të harruar.

Në zonën e bërë shkrumb, në një bunker të shndërruar në qendër mjekësore, që ofronte strehim nga vdekja dhe shkatërrimi mbi tokë, te të plagosurit filluan të arrinin fjalët se një mrekulli mund të ndodhë. Në mesin e tyre që u ishte thënë se janë në listën e evakuimit ishte një rreshter i ri, i goditur nga mortaja, që ia sakatoi këmbën, duke i detyruar mjekët që t’ia amputonin mbi gju.

Nofkën në luftë e kishte “Bualli”. Kishte kaluar nëpër shumë vështirësi, por në fund iu shfaq një sfidë vdekjeprurëse: ikja nga “Azovstal”-i.

Oficeri i inteligjencës ushtarake tha se një helikopter u rrëzua dhe dy të tjerë nuk u kthyen kurrë dhe cilësohen të zhdukur. Thotë se u vesh me rroba civile gjatë fluturimit, duke menduar se do të përzihej me popullsinë civile, nëse do t’i mbijetonte një aksidenti. “Ishim të vetëdijshëm se ky mund të ishte udhëtim njëdrejtimësh”, tha ai.

Po t’i plotësohej dëshira, “Bualli” nuk do të kishte jetuar për t’u evakuuar. Jeta e tij do të kishte përfunduar shpejt për t’u kursyer nga vuajtjet që i pati nga predhat 120-milimetërshe të mortajës, që ia shqyen këmbën dhe që ia mbushën shpinën me copëza predhash gjatë luftimeve në rrugët e Mariupolit më 23 mars.

Ushtari 20-vjeçar foli me agjencinë “Associated Press” me kusht që të mos i publikohet emri i plotë, duke thënë se nuk dëshiron të duket sikur po kërkon famë, kur mijëra mbrojtës të “Azovstal”-it kanë vdekur ose janë në duart e rusëve. I riu ishte duke kërkuar një tank rus, me qëllimin që ta shkatërronte me raketën anti-tank, “NLAW”, në ditën e fundit të muajit të parë të luftës, kur lufta iu ndërpre.

I hedhur pranë mbetjeve të një veture që po digjej, u zvarrit drejt një ndërtese për t’u fshehur. “Vendosa që do të ishte më mirë që të futesha disi në bodrum dhe të vdisja qetas aty”, tha ai.

Megjithatë, shokët e evakuuan dhe e dërguan në fabrikën “Ilyich”, që ra në duart e forcave armike në mesin e prillit, kur ushtria ruse po e ashpërsonte kontrollin në Mariupol dhe në portin strategjik në Detin e Azovit. Tri ditë kaluan para se mjekët të arrinin që t’ia amputonin këmbën në një bodrum për strehim nga bombat. Ai e konsideron veten me fat, sepse mjekët ende kishin anestezion, kur i erdhi radha për të hyrë nën brisk.

Kur e panë aty, një infermiere i tha se keq i vinte që ai do ta humbte gjymtyrën. Sidoqoftë, i riu ia ktheu me një shaka: “A do të m’i kthejnë të hollat për 10 terminet për tatuazhe?”

“Kisha shumë tatuazhe në këmbë”, tha ai. Një i ka mbetur – figurë njeriu – por edhe tatuazhit i janë këputur këmbët.

Pas operacionit, u dërgua në fabrikën “Azovstal”, bastion me gati 11 kilometra katrorë, me labirint 24-kilometërsh të tuneleve e bunkerëve nëntokësorë, që praktikisht ishte i pathyeshëm.

Sidoqoftë, kushtet ishin të zymta. “Kishte sulme të vazhdueshme”, tha tetari 22-vjeçar, Vladislav Zahorodnii, i cili është goditur në legen gjatë luftimeve në Mariupol.

I evakuuar në “Azovstal”, aty u takua me “Buallin”. Ata tashmë e njihnin njëri-tjetrin, sepse të dy ishin nga Çernihivi, qytet verior i sulmuar e i rrethuar nga forcat ruse.

Zahorodnii ia pa “Buallit” këmbën e amputuar. E pyeti se si po ndihej.

“Gjithçka është në rregull, do të shkojmë së shpejti në klube nate”, ia ktheu ai.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Tjera nga autori:
1