<b></b> E shpjeguar: Pse Izraeli mban vazhdimisht zgjedhje?

E shpjeguar: Pse Izraeli mban vazhdimisht zgjedhje?

22.06.2022 19:00

Pas gati 12 muajsh në detyrë, udhëheqësit e qeverisë së koalicionit me bazë të gjerë, por shumë të dobësuar të Izraelit, thanë këtë javë se do të shpërndajnë parlamentin dhe do të mbajnë zgjedhje të reja - të pestat në 3 vjet e gjysmë.

Pse vazhdon të ndodhë kjo?

Përgjigja më e thjeshtë është se Izraeli është thellësisht - dhe pothuajse në mënyrë të barabartë, i ndarë mes idesë nëse Benjamin Netanyahu duhet të jetë kryeministër. Por, kjo është gjithashtu sepse sistemi politik i Izraelit përbëhet nga një grup partish ideologjikisht të larmishme që duhet të krijojnë aleanca - dhe ndonjëherë t'i thyejnë ato, për të marrë atë që duan.

Ja një vështrim se si Izraeli ka arritur në këtë pikë dhe çfarë vjen më pas.

Politika shumëpartiake

Izraelitët votojnë sipas partisë dhe në historinë 74-vjeçare të vendit asnjë fraksion i vetëm nuk ka fituar shumicën në parlamentin prej 120 anëtarësh, i njohur si Knesset. Pra, pas çdo zgjedhjeje, çdo kryeministër i mundshëm duhet të krijojë aleanca në mënyrë që të grumbullojë një shumicë prej të paktën 61 vendeve.

Kjo u jep partive të vogla pushtet të madh. Për shembul në zgjedhjet e vitit të kaluar, trembëdhjetë parti u zgjodhën në parlament, gjë që mund të rezultojë në negociata që zgjasin me javë midis liderëve të ndryshëm partiakë.

E nëse askush nuk mund të mbledhë shumicën, siç ndodhi pas zgjedhjeve në prill dhe shtator 2019, vendi kthehet në zgjedhje dhe qeveria mbetet në vend si kujdestare.

Megjithatë, nuk do të ishte kaq e vështirë, nëse partitë mund të arrinin të pajtoheshin me njëra-tjetrën, pasi që në zgjedhjet e fundit shumicën e vendeve në Kessnet i morën partitë nacionaliste dhe fetare.

Këtu hyn Netanyahu.

Duajeni ose urrejeni

Për mbështetësit e tij të krahut të djathtë dhe fetar, Netanyahu është "Mbreti i Izraelit" - një burrë shteti i paparë dhe veteran, i cili mund të shkojë ballë për ballë me liderët botërorë, nga Vladimir Putin i Rusisë te presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Por, për kundërshtarët e tij – përfshirë liderët e koalicionit në largim – ai në rastin më të mirë është një mashtrues dhe në rastin më të keq një kërcënim për demokracinë. Ata flasin vazhdimisht për gjyqin e tij për korrupsion, stilin e tij dominues dhe zakonin e tij për të nxitur përçarje të brendshme për përfitime politike.

Netanyahu ishte kryeministri më jetëgjatë i Izraelit dhe partia e tij Likud doli e para ose e dyta në të katër zgjedhjet e mbajtura. Por ai kurrë nuk qe në gjendje të formojë një shumicë të krahut të djathtë, sepse disa nga aleatët e tij ideologjikë – duke përfshirë ish ndihmësit, refuzojnë të bashkëpunojnë me të.

Një koalicion i ngathët

Vitin e kaluar, pas zgjedhjeve numër katër, kundërshtarët e Netanyahut ia dolën ta rrëzonin atë.

Naftali Bennett - një tjetër ish-aleat i krahut të djathtë të Netanyahut dhe centristi Yair Lapid krijuan një koalicion prej tetë partish politike nga i gjithë spektri ideologjik - nga nacionalistët e krahut të djathtë deri tek avokatët e shtetësisë palestineze, duke përfshirë një parti të vogël islamike arabe.

Fraksionet lanë mënjanë dallimet e tyre ideologjike dhe për një kohë punuan së bashku. Qeveria miratoi një buxhet, përballoi dy valë koronavirusi pa vendosur bllokime, përmirësoi lidhjet diplomatike me vendet arabe dhe myslimane duke shmangur luftën. Madje, Bennett, si kryeministër, provoi të ndërmjetësojë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Por që në fillim, qeveria kishte shumicën më të vogël dhe Netanyahu ushtroi presion të madh kundër anëtarëve të tij të krahut të djathtë, duke i akuzuar ata për partneritet me terroristë dhe duke thënë se kanë tradhtuar votuesit e tyre. E disa anëtarë të krahut të djathtë të koalicionit morën edhe kërcënime me vdekje, përfshirë Bennett.

Në fund, shumë u nënshtruan dhe festa e Bennet u shemb, pasi qeveria humbi shumicën në muajin prill.

Zgjedhje të reja, të njejtat parti

Në muajin tetor, pritet që izraelitët të kthehen sërish në kutitë e votimeve, ku do të përballen të lodhur me zgjedhje tashmë të njohura.

E ndërsa, Netanyahu shpreson për një rikthim dhe pritet që partia e tij Likud dhe aleatët të fitojnë më shumë vota se sa herën e fundit, disa nga kundërshtarët e tij të krahut të djathtë, të dobësuar nga koalicioni i deritanishëm mund të humbasin vendet e tyre.

Por, edhe nëse Netanyahu dhe aleatët e tij sigurojnë më shumë vende, ata përsëri mund të mos kenë një shumicë.

Nëse ndodh diçka e tillë, sërish do t’u mbetej të njëjtave parti nga qeveria në largim që të krijojnë një koalicion të ri, e një koalicion i ri nga ta do të përballej sërish me të njejtit faktor stresues si të fundit.

E nëse asnjëra palë nuk ka mbështetje të mjaftueshme për të formuar një qeveri? E merrni me mend çfarë ndodhë: Zgjedhje të reja.

Artikull i përkthyer nga Associated Press.

Tjera nga autori:
1