<b></b> E shpjeguar: Këta janë hapat e radhës të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

E shpjeguar: Këta janë hapat e radhës të Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

16.05.2022 17:02

Finlanda dhe Suedia kanë bërë të ditur tashmë qëllimin e tyre për t’u bashkuar me NATO-n, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.  Pas aplikimit zyrtar që pritet të bëjnë, procesi për anëtarësimin e tyre në aleancën më të madhe të sigurisë në botë do të shkojë shpejtë për të dyja vendet.

Presidenti rus Vladimir Putin e ka bërë të qartë që në fillim që nëse dy vendet nordike vendosin të bashkohen me aleancën, do të ketë pasoja. Prandaj një gjë e rëndësishme që NATO duhet të bëjë është të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në mënyrë që të dyja vendet të përfitojnë nga garancitë e sigurisë që ofron anëtarësimi.

Ata janë gati për një nismë të shpejtë, pasi si Finlanda ashtu edhe Suedia janë partnerët më të afërt të NATO-s. Të dyja vendet kanë demokraci funksionale, forca të armatosura që janë të mirë financuara si dhe kontribuojnë në operacionet ushtarake të aleancës dhe vëzhgimin ajror.

Associated Press shkruan se, pengesat e vetme me të cilat mund të përballen të dyja vendet, mund te jenë thjesht teknike ose ndoshta të natyrës politike.

Sa kohë do të duhet që Finlanda dhe Suedia të bëhen anëtare të NATO-s?

Sipas zyrtarëve të NATO-s, procedura e anëtarësimit për të dyja vendet mund të përfundojë “brenda disa javësh”.

Por pjesa që kërkon më shumë kohë - ratifikimi i protokolleve të tyre të pranimit nga 30 vendet anëtare të aleancës, ndonjëherë duke përfshirë parlamentet - mund të zgjasë disa muaj. Ndërsa me kandidatët e fundit supozohet se ky hap mund të marrë tetë deri në 12 muaj kohë.

Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Joly tha të hënën se mendon që “Kanadasë mund t'i duhen ditë". Anëtarësimi më i shpejtë në aleancë ndodhi në vitt 1950 për Gjermaninë Perëndimore, Turqinë dhe Greqinë, miratimi i të cilave zgjati rreth katër muaj, në një kohë kur NATO ishte më pak se gjysma e madhësisë së saj aktuale. Megjithatë, në një moment si ky lufta në pragun e NATO-s sigurisht që do të përqendrojë mendjet.

Ndër të tjera, ShBA dhe Britania, janë treguar të gatshme të ofrojnë mbështetje sigurie nëse është e nevojshme deri në përfundim të procesit.

Si është procesi për anëtarësimin e një vendi në NATO?

Procesi për anëtarësim në NATO nuk është i formalizuar dhe hapat mund të ndryshojnë.

Sido që të jetë, fillimisht duhet të bëhet një kerkesë për anëtarësim. Zakonisht kërkesa bëhet në letër nga një lider ose ministër i qeverisë.

Më pas kërkesa e dorëzuar shqyrtohet nga NATO. Shqyrtimi bëhet në një seancë të Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC) të 30 vendeve anëtare.

Më tej, NAC vendos nëse vendi që ka dorëzuar kërkesën do të shkojë drejt anëtarësimit dhe se cilët janë hapat që duhet të ndërmerren për ta arritur atë.

 Vendimi varet nga mënyra se si janë vendet kandidate të harmonizuara me standardet politike, ushtarake dhe ligjor etë NATO-s dhe nëse ato kontribuojnë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.

Në rastin e Finlandës dhe Suedisë, kjo nuk duhet të jetë një problem.

Si funksionojnë bisedimet për anëtarësim?

Nëse NAC jep dritën jeshile, atëherë zhvillohen bisedimet e pranimit. Këto bisedime zakonisht përfundojnë brenda një dite dhe vazhdohet me hapa e tjerë përpara.

Kandidatit i kërkohet të angazhohet për të mbështetur nenin 5 - klauzolën e mbrojtjes kolektive të NATO-s që garanton se një sulm ndaj çdo aleati do të përballej me një përgjigje nga të gjitha vendet anëtare. Vendi gjithashtu duhet të angazhohet në pagesën e detyrimeve në lidhje me buxhetin e brendshëm të NATO-s, i cili shkon në rreth 2.5 miliardë dollarë.

Më pas, kandidati vihet në dijeni edhe për rolin e tij në planifikimin e mbrojtjes së NATO-s dhe për çdo detyrim tjetër ligjor ose të sigurisë që mund të ketë, si verifikimi i personelit dhe trajtimi i informacionit të klasifikuar.

Pastaj, stafi i NATO-s shkruan një raport me anë të së cilit informohen aleatët për rezultatin e bisedimeve. Në raport theksohet se cilat janë çështjet që janë biseduar me partnerin dhe cilat janë angazhimet që ka marrë. Në të njëjtën kohë, edhe vendi kandidat dërgon një letër, zakonisht nga një ministër i Jashtëm, ku konfirmohet se vendi i tyre i pranon të gjitha detyrimet për të cilat është biseduar.

Si mund ta dinë vendet nëse janë pranuar?

Raporti i anëtarësimit dhe letra e kandidatit i dorëzohen edhe një herë Këshillit për një vendim përfundimtar.

Këshilli, i cili mund të mblidhet në nivel ambasadorësh, ministrash ose liderësh e shqyrton aplikacionin dhe vendos nëse do të nënshkruajë protokollin e anëtarësimit me kandidatin.

Nëse po, atëherë mbahet një ceremoni e vogël duke i dhënë një formë simbolike dhe ligjore kësaj pjese të procesit të anëtarësimit. Protokolli u dërgohet më pas kryeqyteteve për ratifikim sipas 30 procedurave kombëtare, disa prej të cilave kërkojnë miratim parlamentar.

Pasi të përfundojë, i ftuari ratifikon protokollin dhe e depoziton atë në Uashington. Më pas vendi konsiderohet zyrtarisht anëtar dhe flamuri kombëtar i atij vendi ngritet jashtë selisë së NATO-s në Bruksel.

Tjera nga autori:
1