<b></b> E shpjeguar: Pse Turqia është kundër anëtarësimit të vendeve nordike në NATO?

E shpjeguar: Pse Turqia është kundër anëtarësimit të vendeve nordike në NATO?

17.05.2022 23:03

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka nxjerrë një pengesë ndaj vendimeve historike të Suedisë e Finlandës për anëtarësim në NATO.

Ai ka deklaruar se nuk do të lejojë bashkimin e tyre për shkak të mbështetjes që kanë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera, për të cilat Ankaraja thotë se janë një kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.

Megjithëse, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka shprehur besimin se procesi për anëtarësimin e Finlandës e Suedisë në aleeancë do të përfundojë me shpejtësi, deklarata e Erdogan lë të kuptohet se rruga e dy vendeve nordike drejt anëtarësimit mund të jetë gjithçka tjetër veçse e qetë.

Duke qenë se aleanca ushtarake i merr vendimet e saj me konsesus, dhe secila nga 30 vendet anëtare kanë të drejtë të vënë veton ndaj një anëtari të ri, miratimi i Turqisë është thelbësor.

Në këtë situatë, pritet që qeveria e Erdoganit të përdorë ofertat e anëtarësimit të dy vendeve si një mundësi për kompromise dhe për të marrë garanci nga aleatët e saj.

Associated Press sjell një vështrim nga ky qëndrim i Turqisë, çfarë mund të fitojë ajo dhe cilat janë pasojat e mundshme:

Çfarë problemi ka Turqia me anëtarësimin e dy vendeve?

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, ka qenë tradicionalisht mbështetëse e zgjerimit të NATO-s, duke besuar se politika e "dyerve të hapura" të aleancës rrit sigurinë evropiane. Për shembull, Turqia ka folur në favor të perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Por në këtë rast, kundërshtimi i Erdoganit ndaj Suedisë dhe Finlandës buron nga ankesat turke për mbështetjen e supozuar të Stokholmit për Partinë e ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, grupin ekstremist të majtë DHKP-C dhe pasuesit e klerikut mysliman me bazë në ShBA, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja pretendon se qëndron pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti ushtarak në 2016.

Gjatë dekadave të fundit, shumë kurdë dhe mërgimtarë të tjerë kanë gjetur strehë në Suedi, ashtu siç kanë gjetur kohët e fundit edhe anëtarët e lëvizjes së Gulenit.

Sipas mediave shtetërore të Turqisë, Suedia dhe Finlanda kanë refuzuar të ekstradojnë 33 persona të kërkuar nga Turqia.

Ankaraja, e cila shpesh akuzon aleatët për mbylljen e syve ndaj shqetësimeve të saj të sigurisë, është zemëruar gjithashtu nga kufizimet në shitjen e pajisjeve ushtarake në Turqi, të cilat u imponuan nga vendet e BE-së, duke përfshirë Suedinë dhe Finlandën, pas inkursionit ushtarak të Turqisë në veri të Sirisë në vitin 2019.

Duke justifikuar më tej kundërshtimin e tij, Erdogan thotë se vendi i tij nuk dëshiron të përsërisë një "gabim" nga Ankaraja, e cila ra dakord të ripranonte Greqinë në strukturën ushtarake të NATO-s në vitin 1980.

Ai pretendoi se ky veprim i kishte lejuar Greqisë "të mbante një qëndrim kundër Turqisë" me mbështetje të NATO-s.

Çfarë mund të fitojë Turqia?

Pritet që Turqia të kërkojë një marrëveshje kompromisi sipas së cilës të dyja vendet duhet të godasin PKK-në dhe grupet e tjera në këmbim të mbështetjes për bashkim të Suedisë e Finlandës me NATO-n.

Mendohet se kërkesë kryesore mund të jetë që vendet të ndalojnë çdo lloj mbështetje për një grup kurd-sirian ose YPG, i cili ishte një aleat perëndimor në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në Siri, por Turqia këtë grup e sheh si pjesë të PKK-së.

Erdogani gjithashtu mund të përdorë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës për të hequr koncesionet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Turqia dëshiron t'i rikthehet programit të avionëve luftarakë F-35 të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara - një projekt nga i cili u përjashtua pas blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes raketore S-400. Nga ana tjetër, vendi do të blejë një grup të ri avionësh luftarakë F-16 dhe të përmirësojë flotën e saj ekzistuese.

Në kërkesa të tjera të mundshme, mund të përfshihet fundi i një embargoje jozyrtare të shitjeve ushtarake në Turqi nga aleatët; lëshimet nga vendet anëtare të BE-së në lidhje me kërkesën e Turqisë për t'u bashkuar me bllokun; dhe rritjen e fodeve për mbështetje të 3,7 milionë refugjatëve sirianë të strehuar në vend.

Si ndikon përdorimi i vetos në imazhin e Turqisë në Perëndim?

Kërcënimi i Turqisë për përdorimin e vetos, ka të ngjarë të minojë statusin e saj në Uashington dhe në të gjithë NATO-n, duke përforcuar imazhin e një vendi që po bllokon zgjerimin e aleancës për përfitimet e veta. Me këtë veprim, Turqia rrezikon gjithashtu të dëmtojë imazhin që kishte fituar duke furnizuar Ukrainën me dronët Bayraktar TB2 që u bënë një armë efektive në luftën e Ukrainës kundër forcave ruse.

“Nuk ka asnjë skenar sipas të cilit Turqia nuk do të përfundojë duke u parë si një shenjë e Putinit brenda NATO-s,” kështu u shpreh Soner Cagaptay, një ekspert për Turqinë në Institutin e Uashingtonit.

Ai shtoi se, “të gjithë do të harrojnë kundërshtimet që lidhen me PKK-në. Të gjithë do të fokusohen në faktin se Turqia po bllokon zgjerimin e NATO-s.”

Cagaptay tha po ashtu se pengesa që do të vendosë Turqia mund të zhbëjë edhe "momentin pozitiv" që kishte filluar të ndërtohej në Uashington në lidhje me shitjen e F-16.

 A po mundohet Turqia ta qetësojë Rusinë?

Turqia ka ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Ukrainën dhe gjithmonë ka bërë përpjekje të balancojë lidhjet e saj me të dyja vendet. Në këtë kohë lufte, ajo ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë - ndërkohë që vazhdon ta mbështesë Ukrainën me dronë që ndihmuan në mos lejimin e epërsisë ajrore të Rusisë.

“Fakti që Erdogan po e prish procesin (në NATO) qëllimisht, sugjeron se ndoshta ai po përpiqet të balancojë mbështetjen e fortë ushtarake që Turqia i ka dhënë Kievit me mbështetjen politike për Rusinë,” tha Cagaptay.

Edhe një politikan i lartë turk ka shprehur shqetësimin se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë mund të provokojë Rusinë dhe të ndezë luftën në Ukrainë. Devlet Bahçeli, kreu i një partie nacionaliste aleate me Erdoganin, tha se opsioni më i mirë do të ishte mbajtja e dy vendeve nordike në "dhomën e pritjes".

A mundet që ky kundërshtim të rrisë mbështetjen për Erdoganin në Turqi?

Për shkak të një ekonomie në rënie, inflacionit në rritje dhe një krize së kostos së jetesës, në Turqi ka pasur një rënie në mbështetjen ndaj liderit turk.

Dhe, një përplasje me vendet perëndimore mbi çështjen emocionale të mbështetjes së perceptuar për PKK-në mund ta ndihmojë Erdoganin të rrisë mbështetjen e tij dhe të mbledhë vota përpara zgjedhjeve që aktualisht janë planifikuar të mbahen në qershor të vitit 2023.

"Me mbështetjen e brendshme në rënie në një kohë kur Turqia po hyn në një cikël kritik zgjedhor, Erdogani po kërkon një profil më të lartë ndërkombëtar për të demonstruar ndaj votuesëve turq rëndësinë e tij globale,” ky ishte shkrimi i analistes Asli Aydintasbas në një artikull të botuar në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Tjera nga autori:
1