<b></b> Ekspertët: Kriza ekonomike në Afganistan mund të vrasë më shumë njerëz sesa 20 vjet luftë

Ekspertët: Kriza ekonomike në Afganistan mund të vrasë më shumë njerëz sesa 20 vjet luftë

22.05.2022 19:23

Dy radhë të gjata - njëra me burra dhe tjetra me gra – ndodhen rreth një vendi ku shpërndahen ndihma nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP), në kryeqytetin afgan, Kabul.

Shumë nga njerëzit që presin mbështetje në Khwaja Rawash, një lagje e klasës së mesme pranë aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit, janë të varfërit e rinj të Afganistanit. Ata dikur kishin punë të denjë ndërsa tani mbështeten në ndihmën ndërkombëtare për të mbijetuar.

3,800 afganë marrin pak më shumë se 40 dollarë nga WFP me të cilat duhet ta kalojnë muajin.

Një partner koordinues i WFP me emrin Khalid Ahmadzai, tha për CNN se tani situata ishte pak më e qetë se sa në ditën e parë kur filluan të ipen ndihmat,

Në atë kohë, më 11 maj, njerëzit u ngjitën nëpër mure për të hyrë brenda. WFP thotë se ndihmoi 3,000 familje në ditën e parë, me çdo familje që kishte mesatarisht shtatë persona.

Ahmadzai thotë se njerëzit janë të dëshpëruar. "Disa ditë më parë, një grua erdhi tek unë dhe më tha: "Dua të të jap djalin tim, për një shumë prej rreth 175 dollarë. Ajo po qante. Ishte ndjenja më e keqe që kam pasur në jetën time”.

Ai shtoi: “Djali i saj ishte ndoshta tre-katër vjeç... Ndjenja që kishte për urinë dhe gjendjen ekonomike që kishin, ajo ishte në një fazë ku po kërkonte të shiste djalin e saj”.

Ndërsa, luftëtarët e armatosur nga talebanët, të cilët dikur sulmuan kryeqytetin e Afganistanit, tani po ofronin sigurinë në qendrën e shpërndarjes së ushqimit.

Prania e tyre nxirrte në pah një ironi mizore të artikuluar nga Azima, një mësuese në radhë, e cila po merrte ndihmë për herë të parë në jetën e saj. Ajo thotë se situata e sigurisë është përmirësuar që kur talebanët pushtuan Kabulin vitin e kaluar pasi që: "Sulmet vetëvrasëse janë ndalur. Por gjendja ekonomike e njerëzve nuk mund të ishte më e keqe."

Kriza ekonomike e Afganistanit është shfaqur prej vitesh; rezultat i varfërisë, konfliktit dhe thatësirës. Por pasi talebanët morën pushtetin në gusht 2021, ShBA dhe aleatët e saj ngrinë rreth 7 miliardë dollarë të rezervave valutore të vendit dhe ndërprenë fondet ndërkombëtare. E ky veprim gjymtoi një ekonomi tashmë të varur nga ndihmat.

Miliona afganë janë pa punë. Punonjësit e qeverisë nuk janë paguar, dhe çmimi i ushqimit është rritur. Pothuajse gjysma e popullsisë - 20 milionë njerëz - po përjetojnë uri akute, e sipas një raporti të mbështetur nga Kombet e Bashkuara të publikuar këtë javë ekziston frika se kriza mund të vrasë më shumë afganë sesa 20 vjet luftë.

"Fermerët...më kanë thënë se, gjatë dekadave të luftës, atyre kurrë nuk u është dashur të qëndrojnë në radhë për ndihmë humanitare - deri më tani," tha për CNN, Mary-Ellen McGroarty, drejtoreshë e WFP për Afganistanin.

“Kam takuar shumë, shumë gra, madje edhe femra kryefamiljare, të veja, të cilat kanë mundur të kujdesen për veten e tyre dhe gjithçka është e rrëmujshme për to... Thatësira dhe kriza ekonomike... është ajo përplasje e shumë faktorëve që vijnë së bashku. ."

Tjera nga autori:
1