<b></b> Ekspertët francezë po mbledhin dëshmi për krime të mundshme lufte në Çernihiv

Ekspertët francezë po mbledhin dëshmi për krime të mundshme lufte në Çernihiv

11.06.2022 08:41

Disa ekspertë të armëve nga Franca po i ndihmojnë homologët e tyre ukrainas që të mbledhin dëshmi për krime të mundshme lufte nga forcat ruse në rajonin verior të Ukrainës, Çernihiv, tha të premten prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova.

Ekspertët e xhandarmërisë franceze, përfshirë specialistët e dronëve, balistikës dhe armëve të shkatërrimit në masë, kanë mbledhur dëshmi në vendet e shkatërruara nga sulmet ruse, raporton agjencia “Reuters”.

Ata e zëvendësuan grupin e ekspertëve të forenzikës, të cilët shkuan në Ukrainë në mesin e prillit për të ndihmuar në vlerësimin e ngjarjeve në Buça, afër Kievit, ku vrasja e shumë civilëve nxiti reagime në mbarë botën.

“Së shpejti do të bëhen dy muaj që nga koha kur (ekspertët francezë) kanë qenë me ne në terren”, shkroi kryeprokurorja Venediktova në llogarinë e saj në “Facebook”.

“Ata punojnë në rajonin Çernihiv dhe kryejnë hulumtime në vendet e shkatërruara nga bombardimet. Këto krime lufte duhet të ndëshkohen dhe ne jemi të gatshëm që së bashku të bëjmë gjithçka për ta bërë këtë”, shtoi zyrtarja e lartë ukrainase.

Rajoni Çernihiv është sulmuar shpesh që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Edhe autoritetet ukrainase janë duke zhvilluar hetime për krime të mundshme lufte nga ushtarët rusë në Çernihiv gjatë pushtimit në mars.

Rusia mohon se i ka vënë në shënjestër civilët dhe i ka refuzuar akuzat për krime lufte në atë që e quan “operacion special ushtarak” për demilitarizimin dhe “denazifikimin” e Ukrainës. Kievi dhe aleatët e tij thonë se Rusia e sulmoi Ukrainën pa u provokuar./Nacionale

Tjera nga autori:
1