<b></b> Erdogan: Turqia nuk do të miratojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Erdogan: Turqia nuk do të miratojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

16.05.2022 19:37

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se nuk do të miratojë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Reuters raporton se Erdogan ka thënë që delegacionet suedeze e finlandeze nuk duhet të marrin rrugë deri në Turqi për ta bindur të miratojë aplikimet e tyre në NATO.

Finlanda dhe Suedia, të dyja partnere të NATO-s, e kanë parë prej kohësh anëtarësimin si një provokim të panevojshëm të Rusisë, fqinjit të tyre të fuqishëm lindor. Megjithatë, pushtimi i Moskës në Ukrainë, i ka çuar vendet në një rishikim radikal të politikave të tyre të sigurisë.

Anëtarësimi i tyre në NATO kërkon ratifikimin nga të gjithë anëtarët ekzistues.

Në një konferencë shtypi, Erdogan tha se Turqia nuk do t'i miratojë ofertat e tyre për t'u anëtarësuar në NATO, duke e quajtur Suedinë një "strehë" për organizatat terroriste dhe duke shtuar se ata kanë terroristë edhe në parlamentin e tyre.

Ankaraja thotë se Suedia dhe Finlanda strehojnë njerëz që janë të lidhur me grupet që i konsideron terroriste, përkatësisht grupin militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe pasuesit e Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grusht shteti të vitit 2016.

Turqia është anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe anëtarësimi i saj mbetet një gur themel i politikës së saj të jashtme ndaj vendeve perëndimore.

Tjera nga autori:
1