<b></b> Erdogan thotë se kryeministri grek Mitsotakis ‘nuk ekziston më’ për të

Erdogan thotë se kryeministri grek Mitsotakis ‘nuk ekziston më’ për të

24.05.2022 14:50

Presidenti turk Tajip Erdogan ka thënë të hënën (23 maj) se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis "nuk ekziston më" për të, duke akuzuar liderin grek se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ai u përpoq të bllokojë shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi.

“Ne kishim rënë dakord që të mos përfshinim vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë. Pavarësisht kësaj, javën e kaluar, ai pati një vizitë në SHBA dhe foli në Kongres dhe i paralajmëroi ata të mos na japin F-16”, tha Erdogan në një konferencë shtypi pas mbledhjes javore të kabinetit.

“Ai nuk ekziston më për mua. Unë kurrë nuk do të pranoj të takohem me të. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me politikanë të nderuar.”

Turqia i bëri një kërkesë në tetor Shteteve të Bashkuara për të blerë 40 avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga Lockheed Martin dhe rreth 80 komplete modernizimi për avionët e saj ekzistues luftarakë.

Turqia dhe Greqia, të dyja aleatë të NATO-s, kanë qenë në mosmarrëveshje për një mori çështjesh si kufijtë detarë, hapësira ajrore, dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë javën e kaluar, Mitsotakis tha se Greqia do të nisë procedurat për blerjen e avionëve luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2030.

Në vitin 2019 Uashingtoni e hoqi Ankaranë nga një program i përbashkët i prodhimit të F-35 pasi Turqia bleu dhe mori në korrik sistemet ruse të mbrojtjes raketore S-400.

Avioni luftarak F-35 është avioni më i avancuar në arsenalin amerikan. Pas pengesës, Turqia u vendosi për blerjen e avionëve F-16.

Pas deklaratave të Erdoganit, zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou u përgjigj se Mitsotakis mbron të drejtat e Greqisë dhe ligjin ndërkombëtar, dhe se politika e jashtme e Greqisë bazohet gjithashtu në aleancat e saj.

“Ne nuk do të hyjmë në një kundër-argument me lidershipin e Turqisë. Politika jonë është një politikë parimesh”, tha ai në një deklaratë.

Tjera nga autori:
1