<b></b> Familja e Julian Assange zotohet ta kundërshtojë urdhrin e Mbretërisë e Bashkuar për ekstradimin e tij në SHBA

Familja e Julian Assange zotohet ta kundërshtojë urdhrin e Mbretërisë e Bashkuar për ekstradimin e tij në SHBA

19.06.2022 14:13

Familjarët e Julian Assange kanë premtuar se do ta kundërstojnë vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta ekstraduar atë në Shtetet e Bashkuara (SHBA).

Të premten, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar urdhëroi ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks për në SHBA për t'u përballur me akuzat për spiunazh. Ai ka 14 ditë për të apeluar.

"Nëse ai ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, kushtet në të cilat do të jetë [Assange] do të jenë kaq shtypëse," tha Gabriel Shipton, vëllai i Assange, në një konferencë. "Kjo do ta shtyjë atë në vetëvrasje."

Zyra e Brendshme tha në një deklaratë se "gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë gjetur prova se do të kishte shtypje, padrejtësi apo abuzim në procesin e ekstradimi të Assange".

“Ata nuk kanë gjetur as që ekstradimi do të ishte i papajtueshëm me të drejtat e tij njerëzore, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë dhe për lirinë e shprehjes, dhe se në SHBA ai do të trajtohet siç duhet, përfshirë në lidhje me shëndetin e tij.”

Sekretarja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar Priti Patel nënshkroi urdhrin e ekstradimit të premten, pas një vendimi të gjykatës britanike në prill se Assange mund të dërgohej në SHBA.

Në konferencën për shtyp jashtë Konsullatës Britanike në Nju Jork, Shipton pretendoi se njoftimi kishte implikime të gjera për gazetarët dhe lirinë e fjalës.

"Ajo që do të thotë ky vendim është se gazetaria bazë, gazetaria që njerëzit bëjnë çdo ditë, marrja e informacionit, publikimi i informacionit, tani është i paligjshëm në MB," pretendoi ai.

Pas publikimit të mijëra dokumenteve konfidenciale dhe kabllogrameve diplomatike nga Wikileaks në vitin 2010, Assange u akuzua në SHBA me 18 akuza penale.

Ligjvënësit kanë pretenduar se lëshimi i këtij materiali të ndjeshëm rrezikoi personelin ushtarak në detyrë aktive dhe minoi sigurinë e SHBA.

Vendimi është një moment i madh në betejën shumëvjeçare të Assange për të shmangur përballjen me gjyqin në SHBA, megjithëse jo domosdoshmërisht fundi i tregimit nëse ai apelon vendimin e fundit.

Gruaja e tij Stella Moris tha të shtunën se ata po shikonin rrugët e mundshme për të bllokuar vendimin e Mbretërisë së Bashkuar.

Një gjykatës britanik miratoi fillimisht ekstradimin në prill, duke ia lënë vendimin përfundimtar qeverisë. Vendimi i së premtes erdhi pas një beteje ligjore që shkoi deri në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve britanike të ekstradojnë Assange, në mënyrë që ai të mund të dalë në gjyq për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuteri lidhur me publikimin nga WikiLeaks të një sasie të madhe dokumentesh të klasifikuara më shumë se një dekadë më parë.

Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks publikoi më vonë, duke vënë në rrezik jetë.

Organizatat e gazetarisë dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Britanisë të refuzojë kërkesën për ekstradim.

Mbështetësit dhe avokatët e Assange, 50 vjeç, argumentojnë se ai po vepronte si gazetar dhe ka të drejtë për mbrojtjen e lirisë së fjalës nga Amendamenti i Parë për publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.

Ata argumentojnë se rasti i tij është i motivuar politikisht.

Avokatët e Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse dënohet në SHBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se çdo dënim ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se kaq.

Wikileaks ka thënë se Assange do të apelojë ekstradimin e tij nga Britania në Shtetet e Bashkuara.

Tjera nga autori:
1