<b></b> Finlanda pritet ta japë sot qëndrimin për anëtarësimin në NATO

Finlanda pritet ta japë sot qëndrimin për anëtarësimin në NATO

12.05.2022 08:13

Të gjithë sytë janë nga Finlanda, sepse presidenti dhe kryeministrja e këtij shteti pritet që t’i paraqesin pozicionet e tyre për anëtarësimin e vendit në NATO.

Presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin pritet të dalin me deklarata në orën 10:00 sipas kohës lokale ose në orën 09:00 sipas zonës kohore të Kosovës.

Me gjasë, përgjigjja nga të dy krerët e shtetit do të jetë pozitive. Kjo do ta hapte rrugën për një vendim përfundimtar në ditët e ardhshme, në të cilin do të përfshiheshin edhe ligjvënësit finlandezë.

Në Suedinë fqinje, partia në pushtet, e cila ka qenë e përçarë për anëtarësimin në NATO, do ta publikojë qëndrimin e saj të dielën.

Dy shtetet skandinave kanë histori të gjatë të qëndrimit neutral ushtarak, që u ka dhënë formë identitetit dhe politikës së jashtme të tyre. Anëtarësimi në NATO do të ishte ndryshim monumental.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, niveli i ulët i përkrahjes së publikut për anëtarësim në NATO ndryshoi shumë dhe shkoi në shifra rekorde. 76 për qind e finlandezëve dhe 57 për qind e suedezëve tashmë e përkrahin anëtarësimin e shteteve të tyre në NATO.

Tjera nga autori:
1