<b></b> Fotografia e saj preku miliona njerëz – pastaj i solli urrejtje nga ukrainasit e rusët

Fotografia e saj preku miliona njerëz – pastaj i solli urrejtje nga ukrainasit e rusët

17.05.2022 13:11

Fotografia e një gruaje shtatzënë duke ikur nga spitali u bë njëra nga pamjet më të famshme të luftës në Ukrainë. Por zonja që shihet në fotografi u bë cak i një fushate të jashtëzakonshme dezinformuese të Rusisë dhe u ballafaqua me urrejtje nga të dyja palët.

Marianna Spring, BBC

E mbështjellë me jorgan e me shenja gjaku në ballë, fotografia e Marianna Vyshemirsky-t u pa përreth botës. Fotografia ishte shkrepur  pas një sulmi ajror të forcave ruse në Mariupol. Pamja qarkulloi në internet, në ballina të gazetave dhe për të u diskutua edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë, pasi i mbijetoi sulmit, Marianna u përball me një sulm tjetër – atë të dezinformimit dhe urrejtjes, të drejtuar ndaj saj dhe familjes.

Përderisa Rusia përpiqej që të mbillte të pavërteta për sulmin, Marinna 52-vjeçare u akuzua në mënyrë të rreme për aktrim. Diplomatët rusë madje pretenduan se ajo ka e ka luajtur rolin jo vetëm të një, por dy grave.

“Kam marrë kërcënime se do të vinin e do të më gjenin, se do të vritesha, se fëmija im do të pritej në copa” tha ajo për televizionin “BBC”.

Kjo është hera e parë që ajo jep intervistë për një medium të madh perëndimor pas evakuimit nga vendlindja e saj në Donbas, që kontrollohet nga separatistët e përkrahur nga Rusia.

Marianna dukej e lehtësuar dhe po flet me gazetaren e “BBC”-së pa ndonjë parakusht, por një “bloger” pro-separatist është me të.

Ajo tregon se si është të ndodhesh brenda një beteje për informim në kohën kur e lindte vajzën Vernonika në zonë lufte.

“Ajo zgjodhi që të shfaqej në një kohë të vështirë, por është më mirë që arriti në këto rrethana, sesa të mos vinte fare”, tha Marianna, duke iu referuar vajzës së vogël.

“Gjërat u kthyen mbrapsht”

Jeta në Mariupol ishte shumë ndryshe para luftës. Marianna reklamonte produkte të bukurisë në rrjete sociale, ndërsa bashkëshorti i saj, Yuri, punonte në fabrikën “Azovstal”.

“Kishim jetë të qetë dhe të thjeshtë dhe, pastaj, natyrisht, gjërat u kthyen mbrapsht”, tha ukrainasja.

Sidoqoftë, në kohën kur Marianna ishte pranuar në spital për të lindur, Mariupoli ishte bërë qyteti më i bombarduar në Ukrainë.

Më 9 mars, ajo ishte duke biseduar me gratë e tjera në repart, kur një shpërthim e dridhi spitalin. Ajo vendosi një batanije mbi kokë. Pastaj ndodhi edhe një shpërthim.

“Mund të dëgjoje gjithçka duke fluturuar, copëzat e granatave e gjërat. Zhurmën e kisha në vesh për kohë shumë të gjatë”, rrëfen ajo.

Gratë u strehuan në bodrum me civilët e tjerë. Marianna pësoi një prerje në ballë dhe copëzat e xhamit iu futën nën lëkurë, por një mjek i tha se nuk ka nevojë për qepje.

Megjithatë, ajo që i nevojitej ishte marrja e gjërave që i kishin mbetur nën rrënojat e spitalit. Ajo i kërkoi ndihmë një polici për t’u kthyer në ndërtesë.

“Gjithçka që kisha përgatitur për foshnjën time ishte në repartin e maternitetit”, thotë ajo.

Anatomia e një gënjeshtre

Përderisa qëndronte para spitalit, duke pritur për t’i marrë gjërat e veta, u fotografua nga agjencia “Associated Press”. Fotoreporterët e fotografuan përsëri duke zbritur shkallëve të ndërtesës.

Këto fotografi u përhapën shpejt dhe shumë. Në atë kohë, pretendimet e rreme, se fotografitë janë të fabrikuara, u shfaqën për herë të parë në një llogari pro Kremlinit në rrjetin “Telegram”. Postimet e ukrainases për produktet e bukurisë u shfrytëzuan për të pretenduar se ajo ishte aktore, e cila gjoja se kishte përdorur makijazh për t’u dukur e lënduar.

Këto gënjeshtra u përsëritën dhe u përforcuan nga zyrtarë të lartë rusë dhe nga mediet shtetërore të Rusisë.

Ata madje pretenduan se Marianna shihet edhe në një fotografi tjetër të një gruaje shtatzënë në barelë, ndonëse është e qartë se fotografitë janë të dy personave të ndryshëm. Gruaja në barelë, bashkë me fëmijën në bark, vdiqën më vonë nga lëndimet.

Duke ikur e pa qasje në internet, Marianna nuk i pa ato fotografi deri disa ditë më vonë. Në atë pikë, llogaria e saj në “Instagram” ishte vërshuar nga mesazhet me akuza dhe kërcënime. Ajo u tmerrua nga pretendimet.

“Ishte shumë fyese që ta dëgjoja atë, sepse unë vërtet kisha përjetuar gjithçka”, tha ajo, pa i kritikuar drejtpërdrejt zyrtarët rusë, që i kanë përhapur gënjeshtrat për të. Në vend të tyre, ajo e kritikon agjencinë “Associated Press”.

“Isha e fyer që gazetarët, që i kishin publikuar fotografitë e mia në rrjete sociale, nuk kishin intervistuar gra të tjerë, të cilat do të mund të vërtetonin se ky sulm vërtet ka ndodhur”, thotë ajo.

Kërkimi i Marianna-s

Në ditët pas sulmit, Marianna e lindi vajzën Veronika në një spital tjetër.

Si mijëra të tjerë, Marianna dhe Yuri po përpiqeshin me dëshpërim që të largoheshin nga Mariupoli. Me javë, ishte pothuajse e pamundur që të bëheshin kontakte me ta. Më në fund, familjarët i thanë gazetares së “BBC”-së se çifti ka dalë nga qyteti, por vendndodhja nuk ishte e qartë. Më pas, në fillim të prillit, burrë e grua u shfaqën në rajonin Donbas.

Ajo realizoi një intervistë me Denis Seleznev-in, “bloger” që i përkrah separatistët pro-rusë. Kishte spekulime se sa e lirë ishte ajo që ta thoshte atë që e dëshironte.

“Më duhej që ta përshkruaja tërë situatën, siç e kam parë me sytë e mi”, i thotë ajo gazetares së “BBC”-së.

Biseda mes saj dhe gazetares u caktua përmes Denis-it. Maria foli nga shtëpia e saj. Denis-i ishte i pranishëm gjatë tërë bisedës, por nuk ndërhyri. Familjarët dhe miqtë e ukrainases e kanë siguruar gazetaren e “BBC”-së se ajo tash është e sigurt.

Përktheu: Gazeta Nacionale

Tjera nga autori:
1