<b></b> Frikë në Jerusalem: Rikthehet me tensione edhe më të mëdha marshi që çoi në luftën 11-ditëshe

Frikë në Jerusalem: Rikthehet me tensione edhe më të mëdha marshi që çoi në luftën 11-ditëshe

29.05.2022 16:06

Jerusalemi është në prag që të mbajë paradën e aktivistëve të djathtë e cila do të kalojë përmes pjesëve muslimane të Qytetit të Vjetër, pasi dhuna gjatë të njëjtës ngjarje të vitit të kaluar ndihmoi në ndezjen e një lufte 11 ditore mes Izraelit dhe Hamasit, grupit militant palestinez nga Rripi i Gazës.

Marshimi i përvitshëm i flamurit, gjatë të cilit mijëra nacionalistë religjiozë futen në Portën e Damaskut që ka vlerë të lartë simbolike dhe ecin përmes Lagjes Muslimane duke valëvitur flamujt, zë vend në mbarim të asaj që Izraeli e quan Dita e Jerusalemit, ose festimet e kapjes së Jerusalemit Lindor në luftën e vitit 1967.

Shpesh kjo përcillet me thirrje raciste dhe dhunë, e prandaj përjetohet edhe si tepër provokuese nga palestinezët.

Këtë vit marshimi me flamuj vjen në një kohë veçanërisht të tensionuar: në dy muajt e kaluar Izraeli ka vuajtur valën më të keqe të terrorizmit qe disa vjet, nga e cila mbetën të vrarë 19 persona, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në hakmarrje e sipër kryen bastisje në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor duke i lënë të vdekur rreth 35 palestinezë, përfshirë edhe gazetaren e Al Jazeeras Shireen Abu Aqlehun.

Photograph: Ammar Awad/Reuters

Përplasjet mes policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në kompleksin sensitiv të al-Aqsas, që është i shenjtë edhe për hebrejtë edhe për muslimanët, la të plagosur qindra njerëz.

Më herët gjatë ditës, rreth dy mijë pelegrinë hebrej vizituan al-Aqsan të shoqëruar nga policia izraelite. Vizita i nxiti rreth 40 palestinezë, që e kishin barrikaduar veten brenda xhamisë gjatë natës, që të gjuanin me gurë dhe fishekzjarre.

Policia tha përmes një komunikate se ata kishin mbyllur dyert e xhamisë dhe i kishin bërë disa arrestime para se situata të qetësohej në mesditë. Nuk ka pasur raportime për të lënduar.

Joformalisht, hebrejtë lejohen që të vizitojnë xhaminë por jo edhe të luten në atë vend. Vitin e kaluar, sidoqoftë, numri në rritje i vizitorëve hebrej, nganjëherë duke u lutur ose me eskorta policore, ka rindezur frikën e palestinezëve për planet izraelite që të aneksohej zona. Izraeli ka thënë se është i përkushtuar në mbajtjen e gjendjes ekzistuese dhe e akuzon Hamasin për nxitjen e dhunës së fundit.

Rreth tre mijë policë izraelitë janë vendosur përgjatë gjithë Jerusalemit të dielen. IDF-ja është në gjendje alarmi në mbarë territoret e okupuara palestineze dhe është përgatitur edhe për sulme të mundshme me raketa qoftë nga Gaza apo nga Libani.

Vitin e kaluar, kryeministri i atëhershëm Benjamin Netanyahu ishte përpjekur t’i ulte tensionet gjatë marshit të flamurit duke urdhëruar që rruga e zakonshme të mos kalonte nga Porta e Damaskut, por as kjo nuk kishte mjaftuar që të parandaloheshin përplasjet mes policëve izraelitë dhe palestinezëve në xhaminë al-Aqsa. Dhuna në vendin e shenjtë bëri që Hamasi të qëllonte me një breshëri raketash ndaj Jerusalemit, duke nxitur luftën shkatërrimtare të majit.

Pavarësisht thirrjeve për anulimin e këtij marshi këtë vit madje edhe nga disa prej partnerëve të koalicionit, kryeministri i tanishëm Naftali Bennett ka lejuar paradën që të vazhdojë siç është planifikuar, një vendim ky që zemëroi shumë palestinezët.

Zëdhënësi i Autoritetit Palestinez, Nabil Abu Rudeineh, dënoi përplasjet në al-Aqsa në mëngjesin e së dieles, duke i thënë radios Zëri i Palestinës se Izraeli e konsideron veten përmbi ligjin ndërkombëtar dhe se “po luan me zjarrin duke i lejuar në mënyrë të papërgjegjshme që të çshenjtërojnë gjërat e shenjta në Jerusalemin e okupuar”.

Kujtojmë që Kosova e ka vendosur tashmë ambasadën e saj në Jerusalem duke e njohur efektivisht këtë qytet të kontestuar si kryeqytet të Jerusalemit. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe Guatemala me ShBA-të, por jo edhe pjesa tjetër e botës.

Tjera nga autori:
1