<b></b> Frikë nga zhytja në ujë, Maldivet nisin ndërtimin e qytetit lundrues që do të strehojë 20 mijë persona

Frikë nga zhytja në ujë, Maldivet nisin ndërtimin e qytetit lundrues që do të strehojë 20 mijë persona

23.06.2022 22:47

Në ujërat e Oqeanit Indian, është duke u ngritur një qytet lundrues, që mendohet të jetë shpresë e re për banorët.

Vetëm 10 minuta me varkë nga Male, kryeqyteti i Maldiveve, vendi është duke ndërtuar një qytet lundrues që do të jetë mjaftueshëm i madh sa për të strehuar 20 mijë persona.

Sipas CNN, qyteti i ri do të përbëhet nga 5 mijë njësi lundruese, përfshirë shtëpi, restorante, dyqane dhe shkolla. Njësitë e para të tij, do të prezantohen këtë muaj dhe banorët do të mund të vendosen që në fillim të vitit 2024, ndërsa pritet që i gjithë ndërtimi të përfundojë në vitin 2027.

Projekti - është një sipërmarrje e përbashkët midis zhvilluesit të pronave Dutch Docklands dhe Qeverisë së Maldiveve dhe nuk është menduar si një eksperiment apo vizion futurist, por po ndërtohet si zgjidhje praktike për shkak të rritjes së nivelit të detit.

Një arkipelag me 1,190 ishuj, Maldivet janë një nga vendet më të cenueshme në botë ndaj ndryshimeve klimatike. Duke qenë se, tetëdhjetë përqind e sipërfaqes tokësore të vendit është më pak se një metër mbi nivelin e detit, ekziston frika se pas rritjes së nivelit të detit i gjithë vendi mund të zhytet në ujë.

Por, themeluesi i qytetit nga Waterstudio, firma e arkitekturës që ka realizuar projektin, ka thënë se “nëse një qytet noton, ai mund të ngrihet së bashku me detin,” duke e cilësuar këtë projekt si një shpresë të re për gjysmë milioni banorë të Maldiveve.

Kryeqyteti i Maldiveve është një vend jashtëzakonisht i mbipopulluar, me mbi 200,000  persona që jetojnë një një sipërfaqe prej rreth tetë kilometrash katrorë, dhe nuk ka vend për zgjerim përveç në det.

Ndërsa, me projektin e ri synohet që qyteti të jetë i vetë-mjaftueshëm dhe të ketë të njëjtat funksione si një në tokë. Është bërë e ditur se në qytetin lundrues do të ketë energji elektrike e furnizuar kryesisht nga dielli, ujërat e zeza do të trajtohen dhe ripërdoren si pleh organik për bimët, ndërsa si ajër i kondicionuar parashihet që të përdoret ftohja me ujë nga thellësia e detit.

Duke zhvilluar një qytet lundrues plotësisht funksional në Maldive, themeluesi tha se shpreson që kjo lloj arkitekture nuk do të shihet më si një "arkitekturë e çuditshme" në vende luksoze për të pasurit, por si një përgjigje ndaj ndryshimeve klimatike.

Tjera nga autori:
1