<b></b> Frikë për sigurinë e ushtarëve ukrainas të evakuuar nga fabrika “Azovstal”

Frikë për sigurinë e ushtarëve ukrainas të evakuuar nga fabrika “Azovstal”

18.05.2022 09:08

Të martën, mbi 250 ushtarë ukrainas u evakuuan nga fabrika “Azovstal” në Mariupol. Ata i kishin bërë rezistencë avancimit rus për shumë javë në rrethana dëshpëruese.

Sky News

Pesë autobusë arritën në qytezën e kontrolluar nga rusët, Novoazovsk, ku Moska tha se të lënduarit do të marrin trajtim mjekësor. Shtatë autobusë arritën në burgun e hapur rishtazi në qytezën gjithashtu të kontrolluar nga rusët, Olenivka.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha: “Misioni i evakuimit është duke vazhduar. Po mbikëqyret nga oficerët tanë ushtarakë dhe të inteligjencës. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë me më ndikim janë të përfshirë.”

Rusia dhe Ukraina kanë folur për një marrëveshje me të cilën trupat ukrainase do të mund të largoheshin nga fabrika famëkeqe, por shumë hollësi të ujdisë nuk janë publike.

Në mesin e pyetjeve, të cilave nuk u dihen përgjigjet, janë:

-Sa luftëtarë ukrainas ndodhen ende brenda fabrikës?

-A është arritur marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve dhe, nëse po, me çfarë kushtesh?

Kremlini ka thënë se të burgosurit do të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare. Ukraina ka thënë se dëshiron shkëmbim të të burgosurve.

Zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Dmitry Polyansky, ka thënë se nuk ka marrëveshje.

Agjencia “TASS” raportoi se një komision rus planifikon që t’i marrë në pyetje ushtarët ukrainas – shumë prej tyre pjesëtarë të Batalionit të Azov-it – për ato që Moska i quan “krime të regjimit ukrainas”.

Vyacheslav Volodin, kryetar i Dumës Shtetërore, që është dhomë e ulët e Kuvendit të Rusisë, tha: “Kriminelët nazistë nuk duhet të shkëmbehen.”

Leonid Slutsky, anëtar i delegacionit rus në bisedimet me Ukrainën, ushtarët e evakuuar i quajti “kafshë në formë njeriu” dhe tha se ata duhet të ekzekutohen.

Regjimenti i Azov-it është formuar në vitin 2014 si grup militant i së djathtës ekstreme për të luftuar kundër separatistëve pro-rusë, ndonëse pjesëtarët e këtij grupi mohojnë se janë fashistë apo neonazistë. Ukraina thotë se regjimenti është formuar edhe është pjesë e Gardës Kombëtare./Nacionale

Tjera nga autori:
1