<b></b> Gazetari rus e shet medaljen e Nobelit për 103 milionë dollarë

Gazetari rus e shet medaljen e Nobelit për 103 milionë dollarë

21.06.2022 08:06

Kryeredaktori i gazetës së pavarur ruse, “Novaya Gazeta”, e ka shitur në ankand medaljen e Çmimit Nobel të Paqes për 103.5 milionë dollarë. Dmitry Muratov tha se të hollat do të dhurohen për refugjatët e luftës në Ukrainë.

Ai e fitoi çmimin prestigjioz vitin e kaluar për mbrojtjen e lirisë së të shprehurit në Rusi. Gazeta e tij e pezulloi punën në mars, pak pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasi autoritetet ruse thanë se kushdo që e përdor termin “luftë” për veprimet e Rusisë në Ukrainë, do të përballet me gjoba të rënda dhe mbyllje.

Në prill, Muratovi u sulmua me ngjyrë të kuqe në një tren në Rusi. Sulmuesi i tha: “Muratov, kjo është për djemtë tanë”.

Muratovi është njëri nga disa gazetarët që e themeluan gazetën “Novaya Gazeta” më 1993. Nga viti 2000, gjashtë gazetarë dhe bashkëpunëtorë të saj janë vrarë në lidhje me punën e tyre, përfshirë gazetaren hulumtuese, Anna Politkovskaya.

Nga shitja e medaljes së artë në Nju Jork do të përfitojë organizata “UNICEF”, që merret me trajtimin e fëmijëve të zhvendosur nga Ukraina, thuhet në një deklaratë të shtëpisë së ankandeve, “Heritage Auctions”.

“Mesazhi më i rëndësishëm sot është që njerëzit të kuptojnë se është duke u zhvilluar një luftë dhe se ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit që janë duke vuajtur më së shumti”, tha fituesi i Nobelit në një video të publikuar nga shtëpia e ankandeve.

Ai e fitoi çmimin bashkë me gazetaren Maria Ressa, e cila është bashkëthemeluese e gazetës në internet, "Rappler”, në Filipine.

Tjera nga autori:
1