<b></b> Gjenerali finlandez: Jemi përgatitur me dekada, të gatshëm të luftojmë me Rusinë

Gjenerali finlandez: Jemi përgatitur me dekada, të gatshëm të luftojmë me Rusinë

22.06.2022 14:33

Komandanti i Forcave Mbrojtëse të Finlandës, Gjeneral Timo Kivinen, ka thënë se vendi i tij është përgatitur me dekada për një sulm rus dhe do të bënte rezistencë të fortë, nëse ndodh ai.

Vendi i Evropës Veriore ka ndërtuar arsenal përmbajtjesor, por, përpos pajisjeve ushtarake, sipas Gjeneralit Kivinen, një faktor kyç është që finlandezët do të ishin të motivuar të luftonin.

“Vija më e rëndësishme e mbrojtjes sonë është mes veshëve, siç po dëshmon lufta në Ukrainë për momentin”, tha ai në një intervistë.

Finlanda ka zhvilluar dy luftëra me fqinjën lindore në vitet e dyzeta dhe ka kufi të përbashkët me të në gjatësi prej 1.300 kilometrash.

Dikur shtet neutral, tani Finlanda ka aplikuar për t’u anëtarësuar në NATO për shkak të shqetësimit se Rusia mund ta sulmojë si Ukrainën në shkurt.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki ka mbajtur gjendje të lartë të gatishmërisë ushtarake.

“Ne e kemi zhvilluar sistematikisht mbrojtjen tonë ushtarake saktësisht për këtë lloj të luftës që po zhvillohet atje (në Ukrainë), me përdorim masiv të fuqisë së zjarrit, automjeteve të blinduara dhe gjithashtu forcave ajrore”, shtoi udhëheqësi i ushtrisë finlandeze.

“Ukraina ka qenë kafshatë e zorshme për t’u përtypur (për Rusinë) dhe njësoj do të ishte edhe Finlanda”, tha gjenerali.

Shteti me rreth 5.5 milionë banorë ka rreth 280.000 ushtarë, ndërsa 870.000 janë të përgatitur si rezervistë. Pas Luftës së Ftohtë, Finlanda nuk e ka larguar thirrjen për ushtri për meshkuj, siç kanë bërë shumë vende të tjera perëndimore.

Finlanda shpenzon 2 për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes, nivel më i lartë se i shumë shteteve të NATO-s. Autoritetet kanë porositur katër luftanije të reja dhe 64 aeroplanë luftarakë “F-35” të prodhuesit amerikan, “Lockheed Martin”.

Tjera nga autori:
1