<b>Gjermania</b>  e padit Italinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

Gjermania e padit Italinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë

30.04.2022 10:48

Gjermania ka paraqitur një rast kundër Italisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse Roma po vazhdon që t’u lejojë viktimave të krimeve të nazizmit që të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti gjerman edhe pas një vendimi të mëhershëm, i cili thotë se këto kërkesa e shkelin ligjin ndërkombëtar.

Ankesa e Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e publikuar në uebfaqen e kësaj gjykate të premten në mbrëmje, thotë se Italia po vazhdon që ta lejojë sjelljen e kërkesave për dëmshpërblim në gjykatat vendëse pavarësisht vendimit të vitit 2012 të gjykatës së OKB-së se kjo e shkel të drejtën e Berlinit për imunitet sipas ligjit ndërkombëtar.

Berlini thotë se nga vendimi i vitit 2012, në Itali janë paraqitur mbi 25 kërkesa të reja për dëmshpërblim kundër shtetit gjerman për dëmet e shkaktuara nga krimet naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në shumë nga këto raste, gjykatat e kanë urdhëruar Gjermaninë që të paguajë dëmshpërblim.

Për t’i plotësuar kërkesat në dy raste të tilla, gjykatat italiane po mundohen që të konfiskojnë prona në Romë që janë në pronësi të shtetit gjerman, shkruan "Reuters", përcjell Gazeta Nacionale.

Gjermani thotë se e ka paraqitur rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë tani, sepse një gjykatë italiane ka thënë se do të vendosë deri më 25 maj nëse do ta bëjë të detyrueshëm shitjen e ndërtesave, në disa prej të cilave ndodhen institucione kulturore, arkeologjike, historike dhe arsimore gjermane.

Berlini ka kërkuar nga gjykata që t’i ndërmarrë të ashtuquajturat masa të përkohshme për t’u siguruar që Italia të mos i hedh publikisht në ankand pronat gjatë kohës së shqyrtimit të rastit më të gjerë për dëmshpërblime. Ende nuk është caktuar asnjë datë për seancën për masat e përkohshme, por një pritet të mbahet në javët e ardhshme.

Zakonisht, nevojiten vite që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e njohur edhe si Gjykata Botërore, të lëshojë vendime përfundimtare për rastet që paraqiten në këtë institucion.

Mosmarrëveshja për kërkesat për dëmshpërblim për dëmet nga Lufta e Dytë Botërore filloi më 2008, kur gjykata më e lartë e Italisë kishte marrë vendim që Gjermania duhet t’ua japë rreth 1 milion euro familjeve të nëntë personave, të cilët ishin në mesin e 203 të vrarëve nga ushtria gjermane në Civitella më 1944.

Tjera nga autori:
1