<b></b> Gjermania: Vendet e G7-ës mund të udhëheqin rrugën për t’i dhënë fund përdorimit të qymyrit

Gjermania: Vendet e G7-ës mund të udhëheqin rrugën për t’i dhënë fund përdorimit të qymyrit

26.05.2022 16:45

Ministri gjerman i Energjisë dhe Klimës tha të enjten se Grupi i Shtatë vendeve të pasura mund të udhëheqë rrugën për t'i dhënë fund përdorimit të qymyrit, një lëndë djegëse fosile ndotëse që është përgjegjëse për një pjesë të madhe të emetimeve globale të gazeve serrë.

Zyrtarë të lartë të vendeve të G7-ës janë duke mbajtur një taim tre-ditor në Berlin, ku po bisedojnë mbi objektivat e përbashkëta për të kaluar nga lëndët djegëse fosile në energji të rinovueshme, hap që shkencëtarët e kërkojnë urgjentisht në mënyrë që të frenohen ndryshime klimatike.

"G7... ndoshta mund të marrë një rol të caktuar për të nxitur përfundimin e përdorimit të qymyrit për energji elektrike dhe për dekarbonizimin e sistemit të transportit," tha ministri gjerman i Energjisë dhe Klimës, Robert Habeck.

Habeck shtoi se çështja mund të çohet edhe në samitin e liderëve të G7 në Elmau, Gjermani, muajin e ardhshëm dhe më pas gjatë vitit, në takimin e Grupit të 20 ekonomive kryesore.

Associated Press shkruan se, një vendim i vendeve të G20 për të nënshkruar objektivat e vendosura prej ekonomive të përparuara do të ishte thelbësor, pasi që vende si Kina, India dhe Indonezia vazhdojnë të jenë shumë të varuara nga qymyri.

Ndërkohë, grupet mjedisore kanë paralajmëruar se vende të tilla si Gjermania po rrezikojnë qëllimet e tyre “të gjelbra” duke u përpjekur të sigurojnë burime të reja të gazit natyror - përfshirë nga Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të kompensjnë mungesën e furnizimeve nga Rusia.

Në takimin që po mbahet në Berlin, po flitet gjithashtu për arritjen e  një marrveshjeje për ndihmë financiare ndaj vendeve të varfëra në mënyrë që të përballojnë ndryshimet klimatike, për fonde shtesë për biodiversitetin, mbrojtjen e oqeaneve dhe reduktimin e ndotjeve plastike.

Tjera nga autori:
1