<b></b> Gjermania akuzon gjigantin rus të gazit për rritjen e çmimeve të energjisë

Gjermania akuzon gjigantin rus të gazit për rritjen e çmimeve të energjisë

15.06.2022 20:35

Pasi Gazprom ka deklaruar se po kufizon sasinë e gazit për Gjermaninë në nën 70 milion metra kub në ditë - shumë më pak se gjysma e normës aktuale, Gjermania ka akuzuar gjigantin rus të kontrolluar nga shteti se po përpiqet të rrisë çmimet e energjisë duke ulur furnizimet.

E ndërsa, Gazprom tha se arsyeja e kufizimit ishin pajisjet në tubacionion Nord Stream, ministri gjerman i ekonomisë Robert Habeck e cilësoi këtë si "një vendim politik" dhe jo teknik.

"Është padyshim një strategji për të shqetësuar dhe për të rritur çmimet."

Ditën e martë Gazprom kishte deklaruar se do të shkurtonte rrjedhën e gazit Nord Stream 1 nga 167 milion metra kub në ditë në 100 milion, por më pas të mërkurën njoftoi se do të shkurtohej më tej në 67 milion metra kub.

Ndërkohë edhe firma energjetike italiane ENI, ka njoftuar se Gazprom i ka ulur furnizimin me gaz në rreth 15%. Italia, ashtu si Gjermania, është shumë e varur nga gazi rus, i cili përbën 40% të importeve të saj.

Ky veprim i kompanisë ruse erdhi dy javë pasi liderët e Bashkimit Evropian ranë dakord të bllokonin shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022 për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Kujtojmë se Rusia tashmë ka ndalur gazin për Poloninë, Bullgarinë, Finlandën, Danimarkën dhe Holandën, pasi refuzuan kërkesën e Putinit që "vendet jomiqësore" të paguajnë në rubla ruse.

Një veprim i Rusisë që nga Perëndimi u pa si një përpjekje për të rritur rublën pas goditjes nga sanksionet perëndimore.

Tjera nga autori:
1