<b></b> Gjermania dhe Turqia përplasen për tensionet e Ankarasë me Greqinë

Gjermania dhe Turqia përplasen për tensionet e Ankarasë me Greqinë

02.06.2022 11:01

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë të mërkurën i dënoi ashpër deklaratat e Gjermanisë kundër Turqisë, të cilat i cilësoi të pabaza. Reagimi i Anakarasë erdhi pas një deklarate të zëdhënësit të qeverisë gjermane për tensionet mes Turqisë dhe Greqisë.

“Kancelari (Olaf Scholz) është i mendimit se, duke e marrë parasysh situatën e tanishme është e nevojshme që të gjithë aleatët e NATO-s të qëndrojnë bashkë dhe të përmbahen nga provokimet mes vete”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Buchner.

“Futja në hapësirën ajrore greke dhe fluturimi mbi ishujt grek nuk janë në rregull, duken kundërprodhuese dhe kundër shpirtit të aleancës”, shtoi ai.

Zëdhënësi gjerman gjithashtu tha: “Ne nuk mund ta pranojmë vënien në pikëpyetje të sovranitetit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në javët e fundit, Greqia dhe Turqia kanë shkëmbyer akuza për shkelje të hapësirës ajrore të njëra-tjetrës, raporton agjencia “Reuters”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgic, reagoi për deklaratën e zëdhënësit të qeverisë gjermane.

“Ne do të vazhdojmë që ta mbrojmë sovranitetin tonë kundër përpjekjeve të Greqisë për ta shkelur hapësirën ajrore të vendit tonë dhe për t’i ngacmuar aeroplanët tanë në hapësirën ajrore turke dhe ndërkombëtare përmes shpërfilljes së aleancës sonë të NATO-s”, theksoi ai.

“Greqia është i vetmi shtet në botë që pretendon më shumë hapësirë ajrore se ujërat territorialë të saj”, shtoi zëdhënësi i ministrisë turke.

“Ne presim që Gjermania ta ftojë Greqinë që të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare e jo të bëjë deklarata të njëanshme, që nuk janë në vijë me frymën e aleancës”, tha zyrtari turk.

Tjera nga autori:
1