<b></b> Gjermania nis përgatitjet për dimër, kursen gazin dhe shton përdorimin e qymyrit

Gjermania nis përgatitjet për dimër, kursen gazin dhe shton përdorimin e qymyrit

19.06.2022 19:10

Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë tha të dielën se vendi do të kufizojë përdorimin e gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mes shqetësimeve për mungesat e mundshme të shkaktuara nga një ndërprerje e furnizimeve nga Rusia.

Associated Press raporton se, ministri i Ekonomisë Robert Habeck ka thënë se Gjermania do të përpiqet të kompensojë këtë masë duke rritur djegien e qymyrit, një lëndë djegëse fosile më ndotëse.

"Kjo është e hidhur, por është thjesht e nevojshme në këtë situatë të ulet përdorimi i gazit," tha Habeck, anëtar i partisë ambientaliste të Gjelbër.

Kompania ruse e gazit Gazprom njoftoi javën e kaluar se po reduktonte ndjeshëm furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 për arsye teknike, por që Habeck tha se ky reduktim ishte i motivuar politikisht.

Gjermania, e cila prej kohësh është mbështetur shumë në importet e energjisë nga Rusia, filloi të zvogëlojë ndjeshëm importet e saj për shkak të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, qeveria ka këmbëngulur se gazi rus do të nevojitet për një kohë derisa burimet alternative të energjisë, si LNG-ja e sjellë me anije, të jenë të disponueshme. Gjatë muajve të fundit, qeveria gjermane ka marrë masa për të mbushur objektet e magazinimit të gazit deri në 90% të kapacitetit deri në nëntor për të siguruar që të ketë gaz të mjaftueshëm si lëndë djegëse për ngrohje gjatë dimrit.

Habeck tha se objektet e magazinimit, ishin ende në gjendje të plotësonin mungesën nga Rusia me blerje nga  vende të tjera, por megjithatë e përshkroi situatën si “serioze” dhe tha se mund të nevojiten masa të mëtejshme.

Qeveria gjermane kohët e fundit u  ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë edhe përdorimin e energjisë.

“Është e qartë se strategjia e Putinit është të na shqetësojë duke rritur çmimin dhe duke na ndarë,” tha Habeck duke shtuar se, “nuk do ta lejojmë të ndodhë.”

Tjera nga autori:
1