<b></b> Gjermania porosit 240,000 doza vaksine kundër lisë së majmunit

Gjermania porosit 240,000 doza vaksine kundër lisë së majmunit

30.05.2022 10:31

Gjermania do të marrë 40,000 doza vaksinash kundër lisë së majmunëve në fillim të qershorit, ndërsa 200,000 të tjera do të vijnë më vonë, ka thënë Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach pasi u raportuan raste në Mynih dhe Berlin.

"40,000 njësi do të pranohen gjatë dy javëve të para të qershorit dhe 200,000 të tjera pas kësaj," ka thënë ministri socialdemokrat në TV publik të dielën (29 maj).

Ai shtoi se ka nënshkruar kontratën dhe se ministria është në pritje të konfirmimit nga prodhuesi. “Besoj se do t'i kemi këto vaksina shumë shpejt.”

Lauterbach tha gjithashtu se deri më tani, Gjermania nuk ka asnjë nga vaksinat në magazinë.

Ministri shpjegoi se vaksina e quajtur Imvanex është miratuar kundër lisë së majmunëve në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa vaksina nuk është e orientuar në mënyrë specifike ndaj virusit, ajo ka ofruar njëfarë mbrojtjeje, veçanërisht kundër simptomave të rënda.

Sipas Lauterbach, qëllimi është përgatitja nëse bëhet i nevojshëm vaksinimi i personave që kanë kontaktuar me të infektuarit.

Pasi rasti i parë i lisë së majmunëve në Gjermani u raportua në Mynih në fillim të këtij muaji, dy raste u raportuan në Berlin.

Lauterbach tha se ai nuk pret që virusi të kthehet në një pandemi të re. Ndërsa tha se ishte e rëndësishme të frenohej përhapja, "Unë nuk mendoj se lija e majmunëve përbën me të vërtetë rrezik në përmasa të pandemisë".

Tjera nga autori:
1