<b></b> Gjermania ua lehtëson migrantëve qasjen në tregun e punës

Gjermania ua lehtëson migrantëve qasjen në tregun e punës

01.06.2022 16:02

Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil (SPD) po planifikon të reformojë Ligjin për Imigrimin e Punëtorëve të kualifikuar nga Jashtë. Qeveria në Berlin dëshiron t'ua lehtësojë migrantët hyrjen në tregun gjerman të punës.

“Ne do t’ua mundësojmë njerëzve që duan të punojnë dhe të qëndrojnë gjatë këtu”, ka thënë ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil për “Funke-Mediengrupe”. Ai theksoi se politika e migracionit në Gjermani duhet të reformohet. Politikani i socialdemokratëve gjermanë (SPD) konfirmoi se aktualisht është duke punuar me Ministren Federale të Brendshme dhe kolegen e tij nga partia, Nancy Fezer, për "zhvillimin e mëtejshëm" të Ligjit për Emigracionin e Punëtorëve Profesionistë.

Sipas tij, synimi është të thjeshtësohet procesi i punësimit të fuqisë së kualifikuar nga jashtë. Rregullat e reja duhet të hyjnë në fuqi që nga e mërkura, 1 qershor.

Në këtë kontekst, ministri Heil përmendi edhe përvojat e fundit për çështjen e pranimit të refugjatëve nga Ukraina: “Duke qenë se këta persona hyjnë në sistemin e mbrojtjes bazë nga 1 qershori (pagesa e ndihmës sociale shtetërore për punëkërkuesit), është i mundur suksesi i integrimit të këtyre personave në tregun e punës”.

Dhjetë ditë më parë dhoma e lartë e parlamentit gjerman (Bundesrat) miratoi një ligj, i cili ndër të tjera parashikon që refugjatët nga Ukraina të kenë të drejtën e ndihmës sociale në Gjermani nga 1 qershori i këtij viti.

Deri më tani, rregulli ishte që refugjatët të merrnin (financisht më pak) ndihmë të përcaktuar me Ligjin për Azilkërkuesit. Kështu, refugjatët nga Ukraina do të marrin të njëjtin status si të gjithë njerëzit që kanë marrë azil në Gjermani. "Kjo u ka mundësuar këtyre njerëzve të punojnë" tha Heil.

Sipas tij, integrimi i refugjatëve këtë herë duhet të organizohet ndryshe nga ai i krizës së refugjatëve shtatë vite më parë: “Mendoj se këtë herë do ta bëjmë më mirë se në vitin 2015”, shtoi ministri iPunës. Qëllimi i qeverisë gjermane është që të kryhet procedura e plotë në mënyrë që të jetë i mundur “sa më shumë kontroll” i të gjithë procesit.

Tregu gjerman i punës, prej kohësh ka mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Në shumë industri, punëdhënësit nuk arrijnë të plotësojnë vendet e lira. Nga qarqet ekonomike shpesh dëgjohen kritika për rregullat e ndërlikuara të “tërheqjes” së fuqisë punëtore nga jashtë. Qeveria ka reaguar tashmë dhe ka miratuar disa lehtësime muajt e fundit.

Tjera nga autori:
1