<b></b> Gjigandi saudit i naftës Aramco raporton rritje prej 82% në fitimet tremujore

Gjigandi saudit i naftës Aramco raporton rritje prej 82% në fitimet tremujore

15.05.2022 17:45

Investitorët do të marrin 4 miliardë dollarë bonus në aksione pas fitimeve rekord prej 39.5 miliardë dollarësh, të cilat erdhën nga kërkesa e lartë dhe çmimet më të larta të naftës së papërpunuar.

Kompania më e madhe në botë e naftës, Saudi Aramco, ka zbuluar një rritje prej 82% të fitimeve tremujore në një rekord të ri prej 39.5 miliardë dollarësh. Rritje kjo e nxitur nga kërkesa e lartë dhe çmimet më të larta të naftës së papërpunuar.

Kompania, e cila javën e kaluar kapërceu grupin e teknologjisë Apple dhe u bë kompania më e vlefshme në botë, tha se do të paguante një divident prej 18.8 miliardë dollarësh dhe do t'u dorëzonte 4 miliardë dollarë në aksione bonus investitorëve të saj pas përmirësimit të performancës më shumë se sa pritej.

The Guardian shkruan se, edhe kompanitë energjetike si BP dhe Shell, gjithashtu kanë zbuluar fitimet e tyre më të larta në të paktën një dekadë si rezultat i rritjes së çmimeve të mallrave të nxitura nga heqja e kufizimeve të Covid-19 në të gjithë botën dhe sanksionet ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë.

Rritja e çmimeve të energjisë është nxitur gjithashtu nga kërkesa e lartë për gaz në Azi dhe një dimër i ftohtë në 2020, i cili uli furnizimet, duke krijuar mungesë në stoqe pas rënies së temperaturave në hemisferën veriore vitin e kaluar.

Pavarësisht se shumë grupe janë goditur nga investimet në Rusi, pasi çmimet e naftës së papërpunuar Brent janë rritur me pothuajse 70% në 107.91 dollarë për fuçi krahasuar me një vit më parë, për kompanitë janë rritur edhe fitimet.

BP tha këtë muaj, se në tre muajt e parë të vitit fitimet e kompanisë janë dyfishuar në 6.2 miliardë dollarrë. Ndërsa Shell ka raportuar një fitim rekord tremujor prej 9.1 miliardë dollarësh për tre muajt e parë të vitit.

OPEC+, grupi i prodhuesve që përfshin Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusinë, ranë dakord këtë muaj për një rritje modeste të objektivit mujor të prodhimit të naftës, por grupi tha se nuk është e mundur që prodhuesit e tjerë të zëvendësojnë eksportet ruse prej më shumë se 7 milion fuçi në ditë.

Aramco ka një kosto shumë të ulët të prodhimit, pasi pjesa më e madhe e naftës së saj gjendet në fusha të lehta ose në ujëra të cekëta. Kjo rrit përfitimin e kompanisë, e cila 95% është ende në pronësi të qeverisë saudite.

Presidenti dhe shefi ekzekutiv i Aramco, Amin H Nasser, tha se kompania po ndihmonte për të përmbushur kërkesën botërore për energji të përballueshme në një sfond të "paqëndrueshmërisë së shtuar".

"Siguria e energjisë është jetike dhe ne po investojmë për një afat të gjatë, duke zgjeruar kapacitetin tonë të prodhimit të naftës dhe gazit për të përmbushur rritjen e parashikuar të kërkesës. Ndërsa ne po bashkëpunojmë me partnerë vendas dhe ndërkombëtarë për të eksploruar teknologji dhe zgjidhje të reja, nga zhvillimi i teknologjive më të pastra të transportit deri te vendosja e zinxhirëve të vlerave të hidrogjenit dhe amoniakut me karbon të ulët, unë jam më optimist se kurrë për kontributin pozitiv që mund të japim, si për klientët tanë ashtu edhe për tranzicionin e vazhdueshëm global të energjisë,” tha ai.

Tjera nga autori:
1