<b></b> Gjysma e pacientëve të shtruar me COVID-19 në Kinë kanë ende simptoma edhe pas dy vitesh

Gjysma e pacientëve të shtruar me COVID-19 në Kinë kanë ende simptoma edhe pas dy vitesh

12.05.2022 13:54

Një studim i ri ka zbuluar se dy vjet pas shtrimit në spital të pacientëve me COVID-19 në Kinë, mbi gjysma e tyre ende kanë të paktën një simptomë.

Studimi më i gjatë vëzhgues deri më sot, i publikuar në The Lancet, monitoroi rreth 1200 pacientë në Wuhan të Kinës, të cilët ishin shtruar në spital si pasojë e infektimit me COVID-19 gjatë fazës së parë të pandemisë në 2020.

Në përgjithësi, shëndeti fizik dhe mendor u përmirësuan me kalimin e kohës, pavarësisht nga ashpërsia fillestare e sëmundjes. Gati 90% e pjesëmarrësve i ishin kthyer punës pas dy vitesh.

Megjithatë, gjashtë muaj pasi fillimisht u sëmurën, gati 70% e pjesëmarrësve raportuan të paktën një simptomë të gjatë të COVID-19. Dy vjet pas infektimit, mbi gjysma e pjesëmarrësve ende po ballafaqoheshin të paktën një simptomë.

"Gjetjet tona tregojnë se për një pjesë të caktuar të të mbijetuarve të COVID-19 të shtruar në spital, ndërsa ata mund të kenë pastruar infeksionin fillestar, nevojiten më shumë se dy vjet për t'u rikuperuar plotësisht nga COVID-19," ka thënë autori kryesor Bin Cao nga Spitali i Miqësisë Kinës-Japoni.

Simptomat e COVID-it të gjatë përfshijnë lodhjen, gulçimin, dobësinë e muskujve dhe vështirësitë e gjumit deri në dy vjet pas infektimit.

Për më tepër, studimi sugjeron se pacientët me COVID-19 ende priren të kenë shëndet dhe cilësi më të dobët të jetës sesa popullata e përgjithshme, gjë që tregon se nevojitet më shumë kohë për një shërim të plotë.

Studimi zbuloi se pjesëmarrësit "përjetuan një cilësi më të dobët të jetës dhe prirje ndaj problemeve me shëndetit mendor, dhe rritje të përdorimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor në krahasim me ata pa simptoma të COVID", thuhet në njoftimin për shtyp të Lancet, shkruan Euractiv.

Pacientët me COVID-19 kishin më shumë gjasa të raportonin dhimbje kyçesh, palpitacione, marramendje dhe dhimbje koke sesa ata që nuk u infektuan.

Tjera nga autori:
1