<b></b> Humbja e madhe: Pas 82 ditësh bombardime, Ukraina ia dorëzon Mariupolin Rusisë

Humbja e madhe: Pas 82 ditësh bombardime, Ukraina ia dorëzon Mariupolin Rusisë

17.05.2022 08:33

Ushtria ukrainase tha të martën se është duke punuar që t’i evakuojë të gjithë trupat e mbetura në fabrikën e rrethuar të Mariupolit, duke ia dorëzuar Rusisë kontrollonin e qytetit pas gati tre muajve bombardime.

Evakuimi i qindra luftëtarëve, shumë prej tyre të plagosur, me gjasë e shënoi fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës dhe një humbje të konsiderueshme për Ukrainën. Mariupoli është shkatërruar pothuajse tërësisht pas rrethimit për të cilin Ukrainë thotë se shkaktoi dhjetëra mijëra viktima.

Kur pjesa tjetër e qytetit ishte në duart e forcave ruse, qindra ushtarë dhe civilë ukrainas kishin mbetur të ngujuar në bodrumet e fabrikës “Azovstal”. Civilët u evakuuan në javët e fundit, ndërsa mbi 260 ushtarë ukrainas, disa prej tyre të lënduar, u larguan nga fabrika të hënën në mbrëmje.

“Garnizoni i Mariupolit e ka përmbushur misionin e tij luftarak. Komanda supreme ushtarake i urdhëroi komandantët e njësiteve të vendosura në Azovstal që ta shpëtojnë jetën e personelit... Mbrojtësit e Mariupolit janë heronjtë e kohës sonë”, thuhet në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha të hënën vonë se 53 ushtarë të plagosur rëndë janë dërguar në një spital të qytetit të kontrolluar nga rusët, Novoazovsk, dhe mbi 200 të tjerë janë transportuar përmes një korridori për në Olenivka.

Përpos marrjes së plotë të kontrollit në Mariupol, Rusia duket se do të përfitojë edhe lirim të disa ushtarëve të saj, të kapur nga Ukraina, sepse zëvendësministrja ukrainase tha: “Një procedurë shkëmbimi do të ndodhë” për t’i sjellë në shtëpi të evakuuarit.

Agjencia “Reuters” pa pesë autobusë me ushtarë nga fabrika “Azovstal” duke arritur në Novoazovsk të hënën vonë.

Mariupoli është qyteti më i rëndësishëm që Ukraina e ka humbur deri tash nga fillimi i luftës. Në fazën e parë të konfliktit, forcat ruse tentuan që ta merrnin kryeqytetin Kiev, por dështuan dhe u tërhoqën për t’u përqendruar në pjesën lindore të Ukrainës./Nacionale

Tjera nga autori:
1