<b>Hungaria</b>  del kundër pakos së re të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

Hungaria del kundër pakos së re të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë

06.05.2022 09:17

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se vendi i tij nuk mund ta mbështesë pakon e re të sanksioneve nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë.

Udhëheqësi i së djathtës ekstreme tha se propozimi aktual i Komisionit Evropian, që e ndalon importimin e naftës ruse, do të përbënte hedhje të “bombës atomike” mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria është e gatshme që të bisedojë, nëse sheh një propozim të ri, që do të përputhej me interesat e vendit.

Komisioni Evropian të mërkurën e propozoi pakon më të ashpër të sanksioneve kundër Moskës, por disa shtete shprehën shqetësim për ndikimin e ndaljes së importimit të naftës ruse.

Disa vende lindore të BE-së janë të shqetësuara se ndërprerja e blerjes së naftës ruse nuk do t’u lejojë atyre kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur, ndonëse diplomatët thanë se Hungarisë dhe Sllovakisë do t’u jepet afat deri në fund të vitit 2023 që të heqin dorë nga nafta ruse.

Kryeministri hungarez i tha radiostacionit shtetëror se Hungarisë i nevojiten pesë vjet dhe investime të mëdha në rafineri e naftësjellës për ta transformuar sistemin aktual, që varet për rreth 65 për qind nga nafta ruse.

“Nuk dua që t’i kundërvihem BE-së, por të bashkëpunojmë, por kjo është e mundshme, vetëm nëse ata i marrin parasysh interesat tona”, tha ai.

Tjera nga autori:
1