<b></b> I fajësuan për masakrën, qeveria holandeze u kërkon falje veteranëve të Srebrenicës

I fajësuan për masakrën, qeveria holandeze u kërkon falje veteranëve të Srebrenicës

19.06.2022 17:21

Qeveria holandeze u ka kërkuar falje qindra ish-ushtarëve të dërguar për të mbrojtur Srebrenicën gjatë luftës në Bosnje.

Në korrik të vitit 1995, trupat serbe të Bosnjës mundën forcat holandeze, duke arritur kështu të masakrojnë rreth 8,000 burra myslimanë, që ishin nën mbrojtjen e tyre.

Ndërsa tani, kryeministri holandez Mark Rutte ka dalë me një kërkim faljeje duke thënë se trupat holandeze nuk ishin pajisur për të ndaluar masakrën dhe iu ishte kërkuar të kryenin një "detyrë të pamundur".

Deri më tani, qeveritë holandeze kishin këmbëngulur se faji për masakrën ishte i OKB-së, pasi ata kishin dështuar të ofronin mbështetje ajrore. Por, ditën e shtunë duke folur me veteranët në një bazë ushtarake në Holandë, Rutte pranoi se trupat e forcës paqeruajtëse Dutchbat III kishin pasur vështirësi, por jo për fajin e tyre.

Sipas BBC-së, Rutte u kishte thënë veteranëve se:

"Mandati juaj, pajisjet tuaja dhe mbështetja ushtarake që morët gjatë misionit tuaj ishin të gjitha të pamjaftueshme për një mision, që në fund rezultoi i pamundur të realizohej.

Sot u kërkoj falje në emër të qeverisë holandeze të gjitha grave dhe burrave të Dutchbat III. Të gjithë juve këtu dhe atyre që nuk janë me ne sot. 

Me vlerësimin dhe respektin më të madh të mundshëm për mënyrën në të cilën Dutchbat III vazhdoi të përpiqej të bënte gjënë e duhur, në rrethana shumë të vështira, edhe kur kjo nuk ishte më e mundur."

Përveç kërkimit të faljes nga kryeministri i vendit, ushtarëve të dërguar në Srebrenicë iu ishte dhënë edhe Medalja e Bronztë e Nderit nga Ministrja e Mbrojtjes Kajsa Ollongren.

Kujtojmë se, në korrik 1995, në mes të një fushate gjenocidi nga forcat serbe të Bosnjës, mijëra myslimanë ishin vendosur në një zonë të sigurt të OKB-së në Srebrenicë, ku mbroheshin nga trupa holandeze të pajisura lehtë, të cilat u pushtuan shpejt gjatë një avancimi të serbëve të Bosnjës. E pasi këta të fundit kishin siguruar dorëzimin e forcave holandeze, nën gjeneralin Ratko Mlladiç ata kishin ndarë mënjanë burra dhe djem nga mosha 12 deri në 77 vjeç, duke thënë se do “i marrin në pyetje”.

Më pas, brenda pesë ditëve në vazhdim, burrat myslimanë ishin ekzekutuar nga trupat e Mlladiçit dhe ishin varrosur në varre masive.

Edhe pse Serbia gjithmonë e ka mohuar se këto vrasje ishin pjesë e një fushate gjenocidi, e ka pranuar se ishte një krim.

Ndërsa, kërkimi i faljes së kryeministrir Rutte vjen një vit pas një raporti që kishte nxjerrë rekomandime të shumta se si mund të mbështeteshin 850 trupat e Dutchbat III, shumë prej të cilëve pas përvojave të tyre të luftës, vuajtën nga çrregullimi i stresit post-traumatik.

Në vitin 2019, Gjykata e Lartë holandeze vendosi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 350 burrave në masakër, duke thënë se ushtarët kishin lejuar që burrat të largoheshin nga baza holandeze pavarësisht se e dinin se ata "ishin në rrezik serioz për t'u abuzuar dhe vrarë" nga forcat serbe të Bosnjës.

Tjera nga autori:
1