<b>Imazhet e reja</b> satelitore shfaqin varreza masive pranë Mariupolit

Imazhet e reja satelitore shfaqin varreza masive pranë Mariupolit

21.04.2022 21:41

Një firmë satelitore amerikane thotë se ka identifikuar një vend varrimi masiv që përmban rreth 200 varre pranë Mariupolit, një qytet që forcat ruse janë përpjekur të marrin kontrollin prej javësh.

Maxar tha se imazhet e tij tregojnë një gërmim të varreve që filloi në fund të marsit.

Mbi këto imazhe, zyrtarët lokalë ukrainas kanë akuzuar rusët për varrosjen e civilëve të vrarë atje, ndërsa Moska nuk është përgjigjur ende.

Pas disa javësh luftime dhe bombardime, tanimë trupat ruse kanë nën kontrollë pjesën më të madhe të qytetit, por disa forca ukrainase vazhdojnë të jenë në fabrikën e çelikut Azovstal të qytetit.

Gjatë ditës së sotme, Vladimir Putini anuloi planin për ta sulmuar fabrikën me ushtarët, por urdhëroi bllokimin total të saj.

Sa i përket varrit masiv, ai supozohet se është afër një fshati të quajtur Manhush rreth 20 km në perëndim të Mariupolit. Ndërsa, Maxar tha se kishte katër seksione të rreshtave linearë rreth 85 metra të gjatë.

Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se rusët po hapnin llogore dhe "përdornin kamionë për të sjellë kufomat". Ndërsa, kryetari i bashkisë së qytetit Vadym Boichenko tha se në Mariupol mund të jenë vrarë dhjetëra mijëra civilë.

Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë se trupat ruse dhe politikanët kryesorë të Kremlinit janë përgjegjës për vrasjet masive të civilëve.

Kujtojmë se edhe në fillim të këtij muaji, imazhet e Maxar të qytetit të Bucha jashtë Kievit treguan trupa civilësh që qëndronin të shtrirë në rrugë, për gati dy javë përpara se rusët të largoheshin nga qyteti.

Imazhi i raportuar fillimisht nga New York Times dhe i konfirmuar nga BBC, kundërshtoi pretendimin e Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov se pamjet e trupave në Bucha ishin "inskenuar" pas tërheqjes së rusëve.

Kryetari i Bucha-s, Anatoliy Fedoruk, ka thënë se të paktën 300 civilë janë vrarë në qytet.

Tjera nga autori:
1