<b></b> Inflacioni - shqetësimi më i madh i gjermanëve

Inflacioni - shqetësimi më i madh i gjermanëve

17.05.2022 10:35

Rritja e shpejtë e çmimeve në shumë zona po e shqetëson popullatën në Gjermani më shumë se çdo gjë tjetër. Madje më shumë se lufta në Ukrainë apo pandemia. Këtë e tregojnë rezultatet e një sondazhi të opinionit publik të kryer nga firma konsulente, McKinsey, të cilat sapo janë publikuar.

Rreth 40 për qind e rreth 1000 të anketuarve thanë se shqetësimi i tyre më i madh për momentin ishte inflacioni, 34 për qind thanë se pushtimi rus i Ukrainës, dhe vetëm tetë për qind thanë pandemia Covid-19.

Pothuajse një e treta e të anketuarve (29%) kanë frikë se për shkak të rritjes së çmimeve do të duhet të kufizojnë mënyrën e tyre të jetesës. Frika nga rritja e çmimeve ka prekur veçanërisht njerëzit me të ardhura më të ulëta. Dy të tretat e të anketuarve presin që çmimet të rriten në 12 muajt e ardhshëm.

 

Ndryshimet në shpenzime

"Për dy vjet, pandemia ka lënë gjurmë, por tani, për shkak të inflacionit dhe pushtimit rus të Ukrainës, njerëzit janë bërë më pesimistë se kurrë më parë," thuhet në rezultatet e hulumtimit të ekspertit të McKinsey, Marcus Jakob. Njerëzit po përballen çmime më të larta dhe shohin që në fund të muajit mbeten më pak para në portofol, thotë Jakob.

Dhe ata që fitojnë më mirë po ndryshojnë zakonet e tyre konsumuese. Dy të tretat e të anketuarve kohët e fundit kanë shpenzuar më shumë para për ushqim, 61 për qind kanë shpenzuar më shumë për derivate ​​dhe transport, si dhe energji. Si rezultat, pothuajse çdo i treti person ka kufizuar zakonet e tij konsumuese. Konsumatorët tani po kursejnë kryesisht në shpenzimet për kozmetikë, veshje, argëtim dhe udhëtime.

"Kursimi i ri preku veçanërisht ato zona që u prekën rëndë nga pandemia," thotë eksperti i McKinsey, Simon Land. Njerëzit shpenzojnë më pak aty ku donin të shpenzonin më shumë kur pandemia filloi të dobësohej, si shkuarja në restorante, qëndrimi në hotele dhe shkuarja në festa. Sipas këtij hulumtimi, rreth dy të tretat e konsumatorëve tashmë kanë filluar të ndryshojnë zakonet e tyre konsumatore për shkak të rritjes së çmimeve: si blerja e brendeve më të lira ose blerje me zbritje. Më shumë se gjysma e të anketuarve janë shprehur se janë më të kujdesshëm kur konsumojnë energji në shtëpi, shkruan DW.

Tjera nga autori:
1